
Çështja e Belinda Ballukut dhe lufta kundër korrupsionit kanë qenë në fokus të pyetjeve drejtuar kryeministrit Edi Rama në Bruksel, ku po zhvillohet Samiti BE-Ballkani Perëndimor.
I pyetur nëse çështja e Ballukut përbën një test kritik për Shqipërinë në luftën kundër korrupsionit dhe në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Rama shmangu komentet konkrete mbi rastin, duke u ndalur te procesi i drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit.
Kreu i qeverisë deklaroi se përpjekjet e Shqipërisë në këtë drejtim janë të paprecedenta në rajon dhe se pikërisht kjo është një nga arsyet pse vendi duhet të përparojë në procesin e integrimit evropian.
“Ajo që Shqipëria po bën kundër korrupsionit është e paprecedentë në rajon dhe kjo është arsyeja pse Shqipëria duhet të konsiderohet një vend kandidat shumë serioz.
Nëse deri jo shumë kohë më parë Shqipëria përshkruhej si një vend ku mbizotëronte pandëshkueshmëria dhe korrupsioni ishte sistem, sot sistemi po e lufton fuqishëm korrupsionin. Gjithçka duhet të ndjekë procesin e rregullt ligjor.
Është shumë e qartë se askush nuk është mbi ligjin në Shqipëri dhe kjo është arsyeja pse Shqipëria duhet parë me sy pozitiv”, u shpreh Rama në Bruksel.