
Elisa Spiropali deklaroi se nuk ka ndërmend të largohet nga Partia Socialiste, pavarësisht përjashtimit nga grupi parlamentar, duke u vetëidentifikuar si socialiste e bindur, progresiste dhe e majtë.
Gjatë konferencës për shtyp, ajo theksoi se e konsideron veten edhe një patriote shqiptare dhe se nuk ka arsye të ndihet e turpëruar për detyrat publike që ka ushtruar.
“Unë jam një socialiste e bindur, një progresiste, një e majtë, por e konsideroj veten edhe një shqiptare të mirë, një patriote të këtij vendi. Nuk di që detyrat e mia publike të kenë bërë turp, përkundrazi, besoj që e kanë përfaqësuar Shqipërinë mirë dhe aty ku ajo e meriton të përfaqësohet”, u shpreh Spiropali.
Ajo deklaroi se do ta vazhdojë betejën e saj politike, duke kërkuar përgjegjësi për personat që, sipas saj, kanë abuzuar me pushtetin dhe kanë ndikuar negativisht në jetën e qytetarëve.
“Duhet të largohen ata që i kanë rënë Shqipërisë në qafë, duhet të largohen ata vendimmarrja e të cilëve ka ndikuar në jetën e njerëzve, duhet të mbajnë përgjegjësi ata që kanë abuzuar me pushtetin, ata që tregojnë arrogancë në çdo shfaqje të tyre”, deklaroi ajo.
Spiropali ngriti gjithashtu shqetësimin për klimën brenda Partisë Socialiste, duke pretenduar se deputetët kanë frikë të shprehin qëndrimet e tyre publikisht dhe madje edhe të takohen me njëri-tjetrin.
“Na kanë sjellë në pikën kur sot deputetët e Partisë Socialiste kanë frikë të pinë kafe me njëri-tjetrin. Sa i takon kurajos publike për të mbajtur qëndrime, edhe në publik përballen me vështirësi në shpjegimin e vendimmarrjeve”, tha ajo.
Ish-kryetarja e Kuvendit u bëri thirrje socialistëve, progresistëve dhe të majtëve që të mos pranojnë, sipas saj, një rikthim pas në historinë politike të vendit.
“Unë nuk kam arsye të largohem nga fronti, përkundrazi. Do t'u bëj thirrje të gjithë të majtëve, socialistëve, progresistëve, socialistëve patjetër demokratë”, u shpreh Spiropali.
Në përfundim, ajo theksoi se nuk pendohet për rrugëtimin e saj politik dhe për kontributin në Partinë Socialiste, duke pranuar njëkohësisht përgjegjësinë për veprimet e saj.
“Kanë vënë fytyrën, kanë dhënë kohën, kanë vënë jetën, kanë vënë gjithçka. Jam krenare. Nuk pendohem unë për asgjë. Patjetër mbaj përgjegjësi për sa më takon, kjo nuk diskutohet”, përfundoi Spiropali.