Gjykata e Posaçme ka ndryshuar masën e sigurisë për Merxhan Çelikun, 32 vjeçarin e akuzuar si pjesë e një grupi kriminal që dyshohet se zhvati 50 milionë euro përmes mashtrimit me call center.
Vendimi u mor ditën e djeshme nga gjyqtari Erjon Çela i cili pranoi kërkesën e Çelikut për ndryshimin e masës së sigurisë të caktuar në mungesë në nëntor të vitit 2022.
I riu u arrestua në Abu Dhabi pas 2 vitesh në arrati dhe më pas u ekstradua drejt Shqipërisë.
Në nëntor të vitit 2022, një operacion ndërkombëtar i udhëhequr nga Eurojust, Europol dhe policia spanjolle në bashkëpunim me SPAK, zbuloi 15 call centera të grupit kriminal.
Ato ishin të shpërndara në Shqipëri, Gjeorgji, Ukrainë dhe Maqedoninë e Veriut ku mashtronin qytetarët duke i ftuar që të investonin në kriptovaluta.
Çeliku njihet edhe si pjesë e grupit të Amant Josifit i cili është shpallur në kërkim nga disa shtete europiane për mashtrim me call center.