
Gjykata Administrative e Tiranës ka pezulluar ekzekutimin e gjobës prej 5 milionë lekësh të vjetra (500 mijë lekë të reja) ndaj 17-vjeçarit Erind Goçllari, i ndëshkuar nga Policia për pjesëmarrjen në protestë.
I riu nuk do të duhet ta paguajë gjobën të paktën deri në përfundimin e procesit gjyqësor, ndërsa gjykata do të shqyrtojë nëse ndëshkimi i vendosur ndaj tij ishte i ligjshëm.
Ka qenë avokati Ledio Braho, që përfaqëson të miturin i cili tha për Citizens.al se në gjykatë ka çuar dy kërkesa, së pari anulimin e gjobës dhe së dyti pezullimin e saj gjatë kohës që zgjat gjyqi. Gjykata pranoi kërkesën e dytë.
“Drejtoria e Policisë nuk mund të vijojë me ekzekutimin e gjobës derisa të mbyllet gjyqi me vendim të formës së prerë. Kjo është ajo që është e rëndësishme në këtë moment”, tha Braho.
17 vjeçari prej tetë vitesh ka humbur nënën dhe jeton me të atin, motrën e vëllanë në kushte të vështira ekonomike.