
Është zbardhur dëshmia e 22-vjeçarit Endrit Azemi, i cili u arrestua nën dyshimin se ka mashtruar qytetarët e Kosovës dhe diasporës, duke pretenduar se vuante nga leuçemia akute dhe duke mbledhur përmes donacioneve afro 190 mijë euro.
Para Prokurorisë, ai ka thënë se është shëndoshë e mirë dhe se asnjëherë nuk ishte diagnostikuar me leuçemi. Por, ai pretendon se ishte detyruar dhe kërcënuar nga 23-vjeçari Jon Sadiku për të realizuar mashtrimin.
Sipas tij, Sadiku kishte organizuar të gjithë planin, kishte falsifikuar dokumentet e spitalit Acibadem në Turqi dhe i kishte premtuar 10 mijë euro nga shuma e mbledhur.
Ndërkohë, Sadiku ka reaguar për mediat në Kosovë, duke i mohuar këto akuza.
Sadiku ka thënë se e kishte ndihmuar Endritin sepse kishte besuar se ishte i sëmurë, duke mohuar se e kishte kërcënuar, falsifikuar dokumente apo se kishte planifikuar të përfitonte para nga ky rast.
Ndërsa familjarët e Endritit kanë deklaruar se nuk kishin qenë në dijeni për mashtrimin. Motra e tij, pjesëtare e FSK-së, e cila kishte dalë publikisht për të kërkuar ndihmë financiare, dy ditë para arrestimit të tij, tha se vetullat dhe flokët 20-vjeçarit i kishin rënë nga mungesa e vitaminave.
Nga apeli për ndihmë u grumbulluan 189 mijë e 206 euro e 8 centë. Sipas informatave, as Endriti dhe as familjarët e tij nuk kanë shpenzuar para nga kjo shumë. Llogaritë bankare të tyre janë bllokuar, ndërsa fondet e mbledhura përmes GoFundMe u janë kthyer donatorëve.