METAMORFOZA / “Më ndihmo në këtë orë të ligë o Gjigant”: I Gjati bëhet fetar, i lutet portretit të vet në mur!

7 November 2026, 11:21Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
METAMORFOZA / “Më ndihmo në këtë orë të
Edi Rama

TIRANË – Pasi ndezi disa qirinj në altarin e posaçëm që kishte ndërtuar në një kthinë të fshehtë të zyrës, duke ulur kokën me bindje dhe përvujtni, I Gjati nisi t’i lutej të plotfuqishmit për t’i treguar udhën e drejtë në këtë orë të ligë, duke vështruar me përgjërim ikonën e varur në mur, që nuk ishte gjë tjetër veçse portreti i vet.

“Ti që sheh gjithçka, që di çdo gjë, ti që je më lart se çdo krijesë, më trego dritën e vërtetë tani që kam nevojë,” shqiptoi I Gjati, duke ngulur sytë në portretin e vet për të kërkuar atë forcë që vetëm mëshirëploti brenda kornizës mund t’ja jepte.   

“O i përjetshëm, mbret i mbretërve! Të kam shërbyer me devotshmëri dhe nuk kam kërkuar gjë tjetër në këtë jetë, përveç lartësimit të lavdisë tënde. Të lutem, me gjithë takatin tënd të pamatë, të lëshosh një rreze drite dhe të më tregosh si t’i godas armiqtë e tu. Nëse më shpëton nga kjo bela, të premtoj se do të përhap fjalën tënde në të gjitha qoshet e globit dhe do të bëj që krejt njerëzimi të thurrë himne për ty, o dritë e botës dhe e universit!”, shtoi I Gjati.

*** 

Një ndjenjë e fortë fetare e ka kapluar së fundmi të Gjatin, thonë burimet për Patronazhistin. Edhe pse është rritur në një epokë ateiste, ai më vonë u brumos me mësimet e Lekizëm-Dollarizmit.

Ndërkaq, mishmashi religjioz i origjinës orthodhokse, me një gjyshe katolike, me bindje personale bektashiane dhe frymëzim hebraik, për shumë kohë e mbajti të çorientuar, derisa gjeti besimin e vërtetë.

Dhe nuk kishte moment më të përshtatshëm për të kërkuar ndihmën e perëndisë së tij, sesa këto muaj e fundit, kur protestues iranianë, rusë, serbë dhe grekë, të maskuar si studentë taxhikë, të gjithë të komanduar nga Lali, mbushën rrugët e Tiranës duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Eh, tha më vete, sa kohë njeriu është mirë, nuk ja ndjen shumë për fenë, po ku has sharra në gozhdë, vrapon t’i kërkojë ndihmë zotit… dhe hodhi sërish sytë nga portreti në mur:

“Më ndje o Yll Ndriçues i Gjithësisë, nuk kam për të të braktisur më. Ti që flet në shtatë gjuhë të botës, që i kthehesh hazërxhevap çdo gazetari që bën pyetje tendencioze, ose që thjesht pyet; ti që s’le kryeministre të Europës pa përqafuar; ti që hedh rromuze për presidentin amerikan dhe pastaj jep dhuratë gjysmën e vendit për të korrigjuar gabimin; Ti që luan basketboll në zyrë, pikturon në zyrë, vizaton në zyrë, dhe qeveris nga studioja e piktorit; ti dhe vetëm ti mund të më nxjerrësh nga kjo baltë”.

***  

Dihet që ndjesia e thellë fetare e bën njeriun më altruist, më empatik, më ndihmues. Dhe vërtet, I Gjati nuk iu lut ikonës vetëm për veten.   

“Jepi një dorë ndihme dhe Bella Ballukes, o mirëbërës i pashoq! Ndihmoje që SPAK-u të gjejë udhën e vërtetë dhe t’ja zvarrisë hetimet, se ndryshe do më nxjerrë të palarat dhe do më marrë lumi më keq se djalin e Fahriut! Jepi Bellës çfarë është e Bellës, domethënë ato 127 vilat që i ka ngritur me djersë, duke punuar me punë vullnetare çdo pasdite pas orarit zyrtar…”

Ndërkohë një e trokitur u ndje në derën e fshehtë.

“Pallosh, çfarë bën aty, akoma nuk mbarove lutjet?”

Ishte Bella. Nuk arriti të përgjigjej, se dera u hap dhe Ballukja hyri brenda. Sapo pa ikonën në mur, ajo i bërtiti:

“Prapë e paske ndërruar portretin? Ku e çove fotografinë time, edepsëz?”   

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike pro harmonisë mes feve, por kundër rrëmujës fetare brenda një personi


Video