TIRANË – Një ngjarje që i tejkalon kufijtë e demokracisë partiake dhe hyn në terrenin e minuar të anarkisë - pothuajse në prag të leshelisë - ishte ajo e ditës së enjte, kur 81 deputetë socialistë të udhëhequr nga veterani i partisë Ermion Bahçe, detyruan kryetarin e gjatë të PS-së, njëherësh kryeministër edhe më I Gjatë, të votojë reformën e re territoriale.
Siç është bërë e ditur kohë pas kohe, I Gjati ka pasur shumë rezerva për ndarjen e re administrative, dhe ua kishte thënë troç deputetëve kokëshkretë:
“Po ç’i duam mo, këto organizimet e reja të bashkive? Vetëm për të fituar zgjedhjet e ardhshme mendoni ju? Nuk u ngopët me pushtet, sikur keni nga dhjetë jetë? Ça do t’i bëni gjithë ato para, se mos do t’i merrni me vete! Mendoni mo njëherë për popullin! Lërini ore dhe të tjerët të fitojnë ndonjëherë!”
Në raste të tjera, I Gjati kishte shprehur keqardhje për shkrirjen e bashkive të vogla me më të mëdhatë, bile ishte përpjekur t’i prekte deputetët zemërgurë duke kaluar në një intonacion përkëdhelor njësoj si Bella Ballukja, teksa tregonte hartën:
“Ja, shifeni Belshin, sa i vockël, sa i milë! Kus do të të sklijë ty mo xhan, kus? Sa gjynah…”.
Por askush nuk e prishi terezinë, bile deputeti Bahçja ngriti zërin e tij bas:
“Të kemi vënë kryeministër, të kemi të parin mes të barabartëve, por ligjin e bën shumica. Boll tani se s’të ka as lezet, goxha burrë! Ptuuu!”
***
Në deklarimet e herëpashershme publike, I Gjati megjithatë kishte theksuar vendosmërinë t’i shkonte deri në fund Jo-së së tij për ndarjen e re, megjithë presionet ndaj tij nga ana e deputetit Vullnetar Kina, dyqanxhi në profesion.
Madje dolën përgjime ku Vullnetari nga Selenica i kërkonte Të Gjatit votën, përndryshe sa herë t’i vinte gruaja për pazare në dyqan, do t’i jepte vetëm makarona e oriz të skaduar me datë të ndërruar, dhe bulmet jugu me vetëm 5 përqind jug. Por I Gjati rezistoi:
“Unë ta di se edhe bar do ha, ama perimet nuk i shkel”, ja preu ai, dhe u përpoq ta sqarojë teknikisht:
“Sepse, ja, le të marrim kompetencat e reja të bashkive. Nëse këto kompetenca nuk shoqërohen me buxhetin përkatës, atëherë si do funksionojë gjëja? Se ne po përgatitemi të hyjmë dhe në BE, por BE-ja nuk është një union mekanik, por një përbashkim vlerash, parimesh, perimesh…”.
Vullnetarit iu dridh mjekra nga inati:
“Mos më rrokanis kokën me këto gjëra, o ta votoç apo s’o ta votoç! Përndryshe, thuamë më mirë që më ke hasëm! Nuk di llaf tjetër unë!”
***
Llogaritë ishin bërë, dhe dihej që vota e Të Gjatit ishte kyçe për kalimin e reformës. Pak para fillimit të seancës së Kuvendit, disa dëshmitarë e kishin parë teksa përkëdhelte i mallëngjyer hartën e Shqipërisë dhe u fliste bashkive të vogla:
“Ah moj Këlcyra me nam, duan të të prishin/ por nuk të lë unë, jooo, që të të gërvishin! Po ti more Patos/ që veç naftës bën dhe kos? Moj Divjaka brigje-brigje/ të bëri Bahçja çifligje!...”
Rimat i dilnin nga shpirti dhe do kishte dalë nga kontrolli, po të mos e tërhiqte Bella Ballukja me lezet:
“Hajde tani pallosh, se s’të ka hije! Për çfarë të vura unë kryeministër, që ta lëshosh veten kështu?”
E përmblodhi veten në njëfarë mënyre. Dikush tha se Bella i dha një dopio fërnet për të mbledhur stomakun, si shoferët e dikurshëm kur i hiqte barku. Pati bile dhe kurajon të dilte në media dhe të thoshte: “Është momenti më i vështirë i 30 viteve politikë për mua. Paskëtaj o do jem në PS, ose do iki! Po mbase dhe rri. Ku i dihet. Mund edhe të largohem…”
***
E enjtja kishte mbaruar dhe po hynte e premtja, kur mediat dhanë lajmin se ndarja e re territoriale ishte miratuar me 85 vota. Ai Makiaveli, Ermion Bahçja, bashkë me Vullnetar Kinën dhe banditët e tjerë kishin marrë hua edhe tre vota nga komshiu, Thomai i ilaçeve. Seç i përrallisën, “na i jep vetëm për sonte se na kanë ardh ca njerëz”, dhe ai shkreti ua dha.
Por tronditja e vërtetë ishte se i Gjati kishte votuar pro. I kërkuan sqarime dhe ai mërmëriti, “do jua shpjegoj nesër”. E nesërmja kaloi dhe ai hiç. Edhe e pasnesërmja. Ishte mbyllur brenda në zyrë. Familja u bë merak, por Bella nuk i linte ta takonin. “Jepini pak kohë,” u thoshte, “do bëhet mirë. Ja, këtë supën lëreni te recepsioni se ja jap unë”.
Dikur I Gjati doli në televizort. Foli troç dhe qartë:
“Unë jam kundër, por votova pro, se nuk dua që të iki nga Partia Socialiste. Do ta përmirësoj nga brenda, duke luftuar prirjet diktatoriale të Ermion Bahçes dhe larove të tij. Rrofshin socialistët, Selenica selenicarëve, vdekje tradhtarëve!”
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë më pak satirike se disa deputetë të PS-së. Por përpiqemi, përpiqemi…