FIER/HIMARË/MALLAKASTËR – Një zinxhir ngjarjesh të shëmtuara që ndotin figurën e qindra mijë pemëve të ndershme shqiptare, ndodhi javën e kaluar, kur disa pemë të papërgjegjshme ullinjsh u bënë shkaktare për djegien mijëra të tjerave, së bashkë me dhjetëra hektarë sipërfaqe të gjelbëruar me pisha e shkurre të ndryshme, që nuk kishin asnjë faj në këtë mes.
Që në momentet e para, burime nga policitë e Fierit, Himarës e Mallakastrës si dhe nga emergjencat civile, bënë me dije se të dhënat nuk linin asnjë vend për dyshim: Zjarret e njëkohshme në disa pika ishin të qëllimshme.
Pamjet e mëvonshme filmike treguan qartë se ishin disa ullinj shekullorë ata që, me një mendjelehtësi që nuk ua lejon mosha, ndezën zjarr për të djegur degët e thata dhe barishtet poshtë tyre, dhe me këtë rast të ngrohnin pak kockat e lodhura nga vitet.
“Nuk e dimë ende nëse akti ishte tendencioz, dhe nëse ato pemë e dinin që ato dy ditë do frynte një erë e çmendur që do shpërndante flakët nëpër gjithë Myzeqenë, Mallakastrën, Lumin e Vlorës dhe Himarën. Por sido që të jetë, bashkë me të thatët u dogjën dhe të njomët, pemë të reja e të pafajshme që e kishin vajin… dmth jetën përpara,” tha deklarata e policisë, “dhe kjo për fajin e disa druve të matufepsur, gjithë gërxhe, të shtrembër e të shëmtuar te zoti. Por ne nuk do lejojmë që disa drunj të shtrembër të prishin gjithë stivën… më saktë, atë që ka mbetur nga stiva.”
Sipas policisë, është vendosur të ndiqen pemalisht pemët e ullirit Vaj Halli, 244 vjeç, Vaj Medet, 311 vjeç, Ekstra Virgjine, 98 vjeç e 5 muaj, dhe disa pemë të tjera më të reja, që bënë sehir dhe nuk kallëzuan krimin.
***
Situata problematike u bë edhe më serioze, për shkak se veprimi i papërgjegjshëm solli edhe djegien e disa stallave, magazinave, bagëtive, dhe në rastin e Himarës, edhe shtëpive, të cilat pronarët akoma më mendjefyell i kishin ndërtuar afër pemëve.
Gjendja e nderë ka sjellë edhe reagimin e botës së biznesit, sidomos të përfituesve nga Paketat e Maleve, Pakot e Kodrave, Kutitë e Fushave, si dhe investitorë taktiko-strategjikë të bregdetit.
“Nuk arrij ta preceptoj, jemi në shekullin e 21-të dhe ka akoma pemë që luajnë me zjarrin,” tha investitori Këllëç Koburja, i cili në çdo vend të Europës njihet me nga një emër tjetër dhe fjalën 'perceptoj' e kishte mësuar me difekt para dy ditësh, “unë aty te zona e djegur e Himarës kam për të ndërtuar tre hotele. Si të ndërtoj tani, mes djegësirave? I bëj thirrje qeverisë t’u vërë fre këtyre ullinjve të tërbuar!”
I shqetësuar ishte dhe biznesmeni Zaçe Kopaçja, i cili përfiton nga disa projekte të Paketës së Maleve në zonën e Alpeve të Fierit.
“Boll më me llafe. Unë them që pemët që ndezin zjarre duhet prerë nga rrënjët. Këto ndjekjet gjysmake pemale nuk bëjnë punë. Ato çelin prapë gjethe dhe fillon historia nga e para. Kështu do vemë në Europë ne?”, deklaroi Kopaçja.
***
Veçanërisht i shqetësuar ishte dhe kryeministri i pjesës së padjegur të vendit. Që në momentet e para të krizës, ai u vuri në dispozicion biznesmenëve, investitorëve, sipërmarrësve dhe poshtëmarrësve, forcat zjarrfikëse, ushtrinë, ambulancat, helikopterët, dhe tre varkat e marinës luftarake detare.
Ndërkaq, ai ftoi të gjithë qytetarët që të denoncojnë pemët problematike në faqen qeveritare “Sehir-Surrat Albania”, ku do të pasqyrohet si në pasqyrë e gjithë databaza e ullinjve, pishave, bredhave, lisave edhe aheve me kartelë pemale të papastër, që fusin shkopinjtë e tyre në rrotat e projekteve zhvillimore të programit Shqipëria 2330.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që për konsum vetiak, preferon djathin në vend të sapunit