Skandali me mishin e kalbur që përdorej për sufllaqe, nën hetim firma “R Sauli”, furnizonte fast-food-et 

26 Nëntor 2026, 22:01Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Skandali me mishin e kalbur që përdorej për sufllaqe, nën

Rreth 2 tonë mish i destinuar për përgatitjen e gjiros dhe sufllaqeve janë bllokuar në një pikë përpunimi në Fier, pas një investigimi të Fiks Fare.

Bëhet fjalë për subjektin R Sauli, i cili furnizon me mish fast-food-e në Fier, Tiranë dhe qytete të tjera të vendit.

Gjithçka nisi pas një denoncimi të mbërritur në redaksinë e Fiks Fare, ku ngriheshin dyshime se në këtë pikë përpunimi dërgohej mish i kalbur, kryesisht nga kompania King Meat, për të cilën emisioni kishte transmetuar një tjetër investigim pak ditë më parë.

Pas marrjes së informacionit, grupi i Fiks Fare udhëtoi drejt Fierit për të verifikuar denoncimin. Gazetarët hynë në ambientet e magazinës, ku në atë moment po përpunohej mishi. Pamjet e siguruara tregojnë gjiro të vendosura në tokë dhe mish të shpërndarë nëpër vaska, në kushte që ngrinin pikëpyetje serioze për higjienën e ruajtjes dhe përpunimit të produkteve. Sapo kuptuan se po filmoheshin, punonjësit tentuan të pengonin ekipin e Fiks Fare.

Ata u përpoqën të fshihnin produktet, shtynë me këmbë gjirot e vendosura në tokë dhe kërkuan të nxirrnin me forcë gazetarët nga ambientet. Madje, njëra prej punonjëseve u afrua me një shkop fshese, duke tentuar të godiste gazetaren.

Pas përballjes në ambientet e subjektit, pronari Renald Sauli kontaktoi në telefon ekipin e Fiks Fare. Ai pranoi se furnizohej nga disa kompani dhe se merrte edhe mish të dorës së dytë në Elbasan dhe qytete të tjera. I pyetur nëse furnizohej nga King Meat, Sauli u shpreh se kjo ndodhte rrallë, pasi, sipas tij, mishi i kësaj kompanie ishte i shtrenjtë.

Ndërkohë, Fiksi kishte njoftuar Prokurorinë, e cila dërgoi grupin hetimor me urdhër të prokurorit Kristi Jorgji. Edhe pas mbërritjes së oficerëve të Policisë Gjyqësore, punonjësit tentuan të pengonin hyrjen në ambientet e përpunimit. Pavarësisht kundërshtimeve, grupi arriti të kryente verifikimet në disa prej ambienteve ku trajtohej mishi. Gjatë kësaj kohe, punonjësit u përpoqën të pastronin papastërtitë, ndërsa nëna e administratorit kërkoi që oficerët të komunikonin me të birin në telefon.

Ky i fundit nuk pranoi të fliste dhe kërkoi që të përgatitej dokumentacioni i subjektit. Rreth një orë më vonë mbërriti edhe Renald Sauli.

Përveçse pronar, ai mbante edhe pozicionin e përgjegjësit teknik, çka nënkuptonte se duhej të ishte i pranishëm gjatë procesit të përpunimit të mishit.

I pyetur nga Fiks Fare për mungesën e tij, Sauli pranoi se kjo përbënte shkelje dhe se duhej të ishte aty, por pretendoi se u kishte lënë porosi punonjësve. Ai konfirmoi gjithashtu se subjekti furnizonte jo vetëm Fierin dhe fshatrat përreth, por edhe Tiranën e qytete të tjera.

Pas mbërritjes së grupit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, nisi inspektimi i përbashkët me oficerët e Policisë Gjyqësore. Sipas informacionit të siguruar nga Fiks Fare, kontrolli i fundit në këtë subjekt ishte kryer në gusht të vitit 2026 dhe në atë kohë gjithçka kishte rezultuar në rregull. Por këtë herë situata rezultoi ndryshe.

Pas inspektimit, në ambientet e subjektit u vendosën shirita për bllokimin e produkteve të mishit. Pamjet e siguruara nga Fiks Fare tregojnë edhe papastërtitë në ambientet ku përpunohej produkti. Prokuroria konfirmon bllokimin e 2 tonëve mish.

Pas ndërhyrjes, Fiks Fare kërkoi informacion zyrtar nga Prokuroria e Fierit. Në përgjigjen e saj, institucioni konfirmoi se ka regjistruar procedimin penal nr. 2171/2026 për veprën penale “Importimi, prodhimi, shitja dhe ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, parashikuar nga neni 288 i Kodit Penal. Sipas Prokurorisë, në koordinim me Drejtorinë Vendore të Policisë Fier dhe Drejtorinë Rajonale të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, është ushtruar kontroll pranë subjektit, ku janë bllokuar afërsisht 2 tonë produkte mishi.

Prokuroria bën me dije se hetimet vijojnë dhe se, për shkak të sekretit hetimor, nuk mund të japë detaje të tjera për çështjen. Ndërsa denoncimi fliste për mish të kalbur, kontrollet zbuluan probleme me kushtet e ruajtjes dhe përpunimit të produkteve.

Tashmë, analizat laboratorike do të përcaktojnë gjendjen e mishit të bllokuar dhe nëse ai përbënte rrezik për shëndetin e konsumatorëve. Mishi ishte gati për t’u shpërndarë në fast-food-e. Ndërhyrja e Fiks Fare bëri që rreth 2 tonë produkte të ndaleshin përpara se të përfundonin në tryezat e qytetarëve.

 


Vox Pop

Video