“Stadiumi është shtëpia ime e dytë”/ Erjon Vishkulli: U përmenda para se të hyj në operacion, dëgjoja mjekët që flisnin për syrin

26 Nëntor 2026, 21:36Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Stadiumi është shtëpia ime e dytë”/ Erjon
Erjon Vishkulli dhe Grida Duma

Erjon Vishkulli, i riu, i cili mbeti i plagosur në protestë dhe iu desh të kryente dy ndërhyrje në sy, teksa në ditët e ardhme duhet t’i nënshtrohet edhe një të treti, është i ftuari i sotëm në Top Story me Grida Dumën.

28-vjeçari flet fillimisht për dashurinë për vendin, që e ka integruar edhe në pasionin për futbollin dhe për Kombëtaren kuqezi.

“Stadiumi është shtëpia ime e dytë, një pjesë të madhe të jetës e kam kaluar këtu, emocione pafund, momente të bukura. E kam thënë edhe në vende të tjera që mbështetja e njerëzve ka qenë mbështetje e madhe për mua, ka qenë motiv i madh, më kanë takuar shumë njerëz që as nuk i njihja më parë.

Në momentet me mbesën më ka ardhur një forcë e madhe, para se ta takoja nuk i luaja dot krahët, kur erdhi ajo e kam mbajtur në krahë, kam luajtur me të 20 minuta. Dhimbje kam akoma, gjatë ditës duhet të fle të paktën 1 orë. Jam me mjekime dhe me ilaçe. Tifoz më bën dashuria për atdheun, për futbollin. Kur u futa në grupim bëra shokë dhe vëllezër, njerëz që linin familjen dhe punën për vetëm 90 minuta të kombëtares. Jam tifoz i Elbasanit që i vogël.

Kam luajtur edhe vetë futboll, e kam pasion, por tani pasionin e kam kaluar në tribuna. Na është bërë si sëmundje, harrojmë që kemi punë dhe familje dhe shkojmë në stadium. Dashuria lind përtej futbollit, te atdhetarizmi, e shfaqim në stadium dhe më pas e shfaqim në atë mënyrë. Jam lindur në një familje patriotike dhe nuk jemi pajtuar asnjëherë me padrejtësinë.

E drejta e qytetarit nuk po dëgjohet, ka padrejtësi në shëndetësi, arsim, këto më shtynë të dal. Atë ditë kam qenë në sheshin kryesor, te Banka e Shqipërisë, përballë policëve, nuk po bëja asnjë reagim, kam pasur para turmë protestuesish dhe në atë moment ndjeva një goditje dhe dhimbje të fortë. Nuk e kuptova as çfarë ishte, as nga më erdhi.

Kisha pamje për momentin, nuk e kuptova që e kisha plagën në sy. Më pas bie në tokë nga dhimbjet e tmerrshme, pas 2-3 minutash më bie të fikët dhe përfundoj në spital. Jam përmendur para se të hyj në sallën e operacionit, dëgjoja mjekët që flisnin për syrin, dëgjoja shokët dhe familjen jashtë. Nga dreka më ka shkruar një shok, Klajdi më ka thënë se kam një maskë të mirë dhe atë duhet, i kam thënë ta mbajë vetë dhe të ruajë veten.

Frikë nuk kisha, shkova me idenë se nuk do të më ndodhte gjë. Po ta kisha maskën, nuk do të më ndodhte. Frikë? Çfarë frike? Kalova një traumë të fortë, kam vuajtur edhe trauma të tjera përtej shikimit, falë Zotit unë e kalova dhe e them sërish se ku ka padrejtësi, unë do ta ngre zërin”, shprehet Vishkulli mes të tjerash.


Vox Pop

Video