
Egnatia ka shkruar një faqe të re në historinë e saj, duke regjistruar fitoren e parë në fazën e ligës së UEFA Conference League. Rrogozhinasit mposhtën 2-1 Lincoln Red Imps në stadiumin “Air Albania”, në Tiranë.
Pas dy barazimeve dhe një humbjeje në tri ndeshjet e para, Egnatia më në fund feston tri pikët e para në këtë fazë të kompeticionit.
Skuadra e drejtuar Nevil Dede e nisi takimin me kontroll të plotë të lojës, duke ushtruar presion që në minutat e para.
Përgjatë 15 minutave të para, vendasit regjistruan rreth 70% të zotërimit të topit dhe krijuan disa raste, ndërsa kundërshtarët nuk arritën të rrezikonin portën.
Dominimi vijoi edhe në pjesën tjetër të fraksionit të parë. Egnatia iu afrua golit në disa raste, me Guillem Jaime që në minutën e 42-të goditi shtyllën pas një topi të rikthyer. Megjithatë, mbrojtja e Lincoln arriti ta ruante barazimin deri në pushim.
Vetëm dy minuta pas rifillimit të lojës, Alessandro Albanese zhbllokoi rezultatin. Sulmuesi përfitoi nga një asist i shkëlqyer i Fernando Medeiros dhe e dërgoi topin në rrjetë nga afër, duke kaluar Egnatian në avantazh.
Lincoln reagoi në minutat e fundit dhe arriti të barazonte në minutën e 79-të. Yussef Flalhi Idrissi realizoi një goditje të bukur nga jashtë zonës, duke e dërguar topin në këndin e poshtëm të portës.
Por përgjigjja e Egnatias ishte e menjëhershme. Vetëm dy minuta më vonë, Numan Ajetovikj shërbeu për Medeiros, i cili u gjend i lirë brenda zonës dhe riktheu avantazhin për skuadrën shqiptare.
Rrogozhinasit e administruan rezultatin deri në fund, duke siguruar tri pikë me shumë vlerë.
Pas dy barazimeve dhe një humbjeje në tri ndeshjet e para, Egnatia regjistron suksesin e parë në fazën e ligës dhe ngjitet në pozitat që të dërgojnë në play-off.