Celibashi “rehabiliton” edhe Armand Sharën – “Truri” i Duranës do të ngrejë modulin e rezultateve zgjedhore! 

26 Nëntor 2026, 14:01Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Celibashi “rehabiliton” edhe Armand Sharën –
Armand Shara

Një nga biznesmenët më aktivë që mundësoi ngritjen e parkut “në letër” Durana, në zonën e Xhafzotajt në Shijak, tashmë do të ngrejë modulin e rezultateve zgjedhore. Institucionet shtetërore po i japin shumë “punë” Armand Sharës, i cili krahas Duranës, ka në dorë edhe mirëmbajten e rrjetit qeveritar, teksa së fundmi, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, e ka “rehabilituar”, duke e futur edhe në zgjedhje. 

Pas skandalit të AKSHI-t, ku nën akuzë janë disa biznesmenë dhe zyrtarë shtetërorë, kompania “Infosoft System” ka zënë vendin e tyre, duke marrë dhjetëra miliona euro nga buxheti i shtetit. Por, futja e Armand Sharës në këtë biznes, të një rëndësie të veçantë, do të thotë se mazhoranca ka shumë besim, aq besim sa i besoi edhe ngritjen e një parku të tërë fantazëm, ku firmat u regjistruan në atë adresë vetëm për të mos paguar taksa e detyrime shtetërore. 

Ndërkohë, në të njëjtën linjë me qeverinë është edhe kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, i cili, megjithëse kompania e Sharës nuk kishte vlerën më të ulët në tender, sërish ia besoi procedurën e modulit të zgjedhjeve këtij personi. Kaq shumë i besojnë sa të mirëmbajë databazën e qeverisë, të zgjedhjeve, të Duranës, apo të shërbimeve të tjera? Kush e mbështet Armandin dhe “bijtë” e “bijat” e tij, pasi në një periudhë të shkurtër hapi disa firma me prestanome, disa prej të cilave të regjistruara në Xhafzotaj. 

Celibashi “rehabiliton” edhe Armand Sharën –
Faksimile: Njoftimi i fituesit të tenderit për modulet e zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, u firma Infosoft System u shpall fituese 

Sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve finalizoi ditët e fundit tenderin me objet “moduli i arkivës së rezultateve zgjedhore”. Kriter për fituesin ishte oferta ekonomikisht më e favorshme e bazuar në kosto, teksa firma Atom froi 24.9 milionë lekë, Infosoft System ofroi 25.8 milionë, Icom ofroi 23.2 milionë. 

Në dokumente shkruhet se, kompanitë që ofruan më pak janë skualifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me kritere të ndryshme, të cilat i plotësoi vetëm firma e Armand Sharës. Por nëse të gjithë skualifikohen, a mos vallë ka qenë i paracaktuar? Apo dokumentet e tenderit iu përshtatën më së miri kësaj kompanie, duke fituar në mënyrën më të lehtë procedurën?! 

Celibashi “rehabiliton” edhe Armand Sharën –
Faksimile: Njoftimi i AKSHI-t për tenderin e mirëmbajtjes së infrastrukturës së rrjetit qeveritar

Por, afera më e madhe e Sharës ka qenë parku fiktiv Durana, e cila ka qenë një pjellë totalisht e organizuar nga krerët qeveritarë, të cilët me manovra tepër të dyshimta lejuan që dhjetëra firma të regjistroheshin në Xhafzotaj, ku s’do paguanin taksa, dogana apo edhe lehtësira të favorshme fiskale. Firmat që u regjistruan janë të njëjta me ato të dosjes së AKSHI-t, disa prej të cilëve me masa sigurie dhe të tjerë në kërkim.

Ndërkohë, të tjerë biznesmenë nën hetim për marrëveshje me palë të treta, apo ata që vendosin se si do të funksiononte i gjithë tregu, vijojnë që të fitojnë tendera te të njëjta institucione. Dhe, pikërisht në gjithë këtë gjullurdi, më i fituari duket se është Armand Shara, i cili njëherë del te dosja e AKSHI-t, herën tjetër rezulton si themelues i DURANA-s dhe tashmë merr të tjera para’ po nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. 

Infosoft Systems ka fituar tenderin për “mirëmbajtjen e infrastrukturës së rrjetit qeveritar govnet” me një kohëzgjatje 24 muaj nga nënshkrimi i kontratës. Kompania ofroi 366 milionë lekë me TVSH, ose më shumë se 3.7 milionë euro. Kompania tjetër që mori pjesë u skualifikua për shkak se “nuk përmbush kërkesat e DST”. Bëhet fjalë për prokurimet në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, ku kompania tjetër duket se s’kishte certifikata sigurie apo edhe kritere të tjera.

Më parë, Infosoft ka fituar edhe tenderin me objekt “mirëmbajtja e sistemit e-receta për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”, me fondet e Buxhetit të Shtetit. Edhe në atë rast, firmat e tjera që morën pjesë u skualifikuan. Dyshimet janë të mëdha, pasi si ka mundësi që një firmë tërhiqet dhe s’bën asnjë ofertë? Është kamuflim apo frikë nga Shara?!

Celibashi “rehabiliton” edhe Armand Sharën –
Faksimile: Kompania iNext është themeluar në qershor 2025 dhe ka si adresë parkun në Xhafzotaj

Në muajin qershor të vitit 2025, familja Shara ka themeluar kompaninë iNext, duke e regjistruar në parkun fiktiv DURANA. Kompania ka si pronar firmën TAG Engineering shpk dhe Bledar Dhimën, teksa firma TAG është në pronësi të familjes SHARA, ku administratore është zonja Edlira Shara.

Celibashi “rehabiliton” edhe Armand Sharën –

Megjithatë, mësohet se pas kësaj firme është vetë Armandi, i cili njihet si një nga “themeluesit” e parkut DURANA, teksa emri i tij del në të gjitha procedimet penale të Prokurorisë së Posaçme, si në rastin e hetimeve ndaj AKSHI-t, ku në disa raste Infosoft ka pasur një rol aktiv. Madje në njërin rast, marrja peng e një biznesmeni e favorizoi dukshëm, pasi ai u shpall fitues i vetëm i procedurës.

Faktet janë se, edhe pas goditjes së kupolës së AKSHI-t, apo edhe pas zbardhjes së DURANA-s, sërish Shara po fiton me lehtësi tendera me vlera miliona euro, procedura pa garë dhe tepër të paracaktuar.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016



Vox Pop

Video