Monika Lubonja thirrje protestuesve të 28 Nëntorit: Mos na i plagosni simbolet, mos i mbuloni sytë historisë sonë!

26 Nëntor 2026, 15:11Lifestyle SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Monika Lubonja thirrje protestuesve të 28 Nëntorit: Mos na i plagosni
Monika Lubonja

Aktorja Monika Lubonja ka reaguar përmes një postimi në Instagram, duke përcjellë një mesazh për respektimin e historisë dhe simboleve kombëtare, në prag të festave të Nëntorit.

Duke iu referuar pamjeve që, sipas saj, janë të dhimbshme për t’u parë, Lubonja thekson se monumentet e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut duhet të trajtohen me respekt, mirënjohje dhe krenari, pasi ato përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të historisë dhe rrugëtimit të Shqipërisë drejt lirisë.

Në reagimin e saj, aktorja u drejtohet protestuesve, duke nënvizuar se e drejta për të protestuar është e shenjtë dhe se zëri i qytetarëve duhet dëgjuar.

Monika Lubonja thirrje protestuesve të 28 Nëntorit: Mos na i plagosni

Megjithatë, bën thirrje që pakënaqësitë dhe kundërshtitë të mos shprehen duke cenuar monumentet historike, të cilat nuk i përkasin një pushteti, partie apo periudhe të caktuar, por gjithë kombit.

Postimi i Monika Lubonjës:

Në prag të festave të Nëntorit, kur zemra duhet të na kthehet te historia, te sakrificat dhe te njerëzit që i dhanë këtij vendi emër, pavarësi dhe dinjitet, është e dhimbshme të shohësh pamje të tilla.

Përpara shtatoreve të Ismail Qemalit dhe Skënderbeut duhet të qëndrojmë me respekt, mirënjohje dhe krenari. Jo sepse ata ishin të pagabueshëm, por sepse historia e këtij kombi dhe rruga drejt lirisë mbajnë edhe emrat e tyre. 

Të dashur protestues, e drejta për të protestuar është e shenjtë. Zëri juaj duhet dëgjuar, pakënaqësia juaj duhet shprehur. Por mos harroni se këto monumente nuk i përkasin një pushteti, një partie apo një kohe. Ato i përkasin historisë sonë, të gjithëve ne dhe brezave që do të vijnë.

Mos i mbuloni sytë e historisë sonë. Mos i plagosni simbolet që duhet të na bashkojnë.

Mund të kemi bindje të ndryshme, mund të mos pajtohemi për shumë gjëra, por të paktën të kemi një gjë të përbashkët: respektin për atë që na ka sjellë deri këtu.

Sepse një komb nuk e nderon historinë vetëm me festa dhe fjalime, por edhe me mënyrën se si kujdeset për të.


Vox Pop

Video