TIRANË/DETROIT – Agjencitë e lajmeve njoftojnë se në çastet që po flasim, Shqipëria është duke u arrestuar. Pas vendosjes në arrest shtëpie të shefes së Shërbimit të Inteligjencës Natyrale dhe ish drejtorit të Policisë Artificiale, mësohet se ka vijuar procesi i prangosjes për një sërë shefash policie, drejtorësh administrate, ministrash etj.
Burimet nga vendngjarja bëjnë me dije se në vijim, janë arrestuar policët që më parë arrestuan të sipërpërmendurit, ndërsa prokurorët specialë kanë arrestuar prokurorët e rëndomtë, vetëm për t’u arrestuar pak më vonë nga kolegët e tyre ekstra-specialë.
Kjo valë arrestimesh vjen në mes të një vale të mëparshme prangosjesh, ku protestues të pakujdesshëm, biznesmenë tenderash, çiklistë që e ngisnin mjetin me një dorë dhe kryefamiljarë që kishin vonuar me dy ditë pagesën e mungesës së ujit, kishin përfunduar në burg rregullisht gjatë gjithë verës, së bashku me turistë të papërgjegjshëm që u kapën duke notuar përtej vijës së tapave – duke penguar drejtuesit e pafajshëm të xhet-skive, vrasës pa pagesë dhe gjyshër cinikë që u thoshin nipërve kur rrëzoheshin, “Mirë të të bëhet, që të vësh mënt”!
Në total, sqarojnë agjencitë e lajmeve, 99% e shqiptarëve rezultojnë me arrest shtëpie, arrest zyre, arrest burgu, ose detyrim paraqitjeje diku. “Edhe atyre 1% që ende bredhin lart e poshtë, po u shtrëngohet laku dhe herët a vonë, s’kanë nga e dredhin bishtin maluketërit,” saktësojnë agjencitë.
***
Të njëjtat agjenci kanë përshkruar një panoramë dramatike të vendit të shqiponjave, pas valës së fundit të arrestimeve. Zyrat, paradhomat, korridoret, sallat e konferencave, deri dhe parkingjet dhe oborret e ndërtesave të administratës publike ishin të mbushura me mbetje e fara frutash, kryesisht dardha nga ato që e kanë bishtin prapa, aq sa nuk mund të lëvizje dot pa shkelur mbi to.
“Dardha gjysmë të kafshuara, mollë dikur të ndaluara, si edhe shumë rrush e kumbulla të shpërndara gjithandej, kjo është panorama e asaj çka ka mbetur nga administrata qendrore dhe ajo lokale, si dhe nga zyrat e institucioneve kryesore në vend,” raportoi agjencia e njohur Rrojtore.
Ky konsum masiv dhe frenetik i frutave, çuditërisht nuk e ka ndihmuar aspak bujqësinë vendase, të cilës nuk i shiten prodhimet për shkak të konkurrencës së importit.
“Dhe janë pikërisht këta bujq, të cilët në shenjë proteste i kanë derdhur prodhimet e tyre në rrugë, duke kontribuuar akoma më shumë në mbushjen e territorit shqiptar me fruta të ngrëna, të shkelura, të kalbura. Nëse dikur vendi i shqiponjave vinte era hashash, sot vjen era fruta të fermentuara. Megjithatë efekti trullosës është i njëjti,” vërejti Rrojtorja.
***
Mësohet se epidemia e përtypjes së dardhave kaloi çdo përmasë ditët e fundit, pas nisjes së kreut të qeverisë drejt Shteteve të Batuara të Amerikës. Në momentin që kryeministri ktheu shpinën, të gjithë ministrat, drejtorët, shefat e policisë nisën të mbllaçiten papushim për ta shfrytëzuar kohën në maksimum.
Njihet tashmë rasti fatkeq i dy ministrave që u mbytën nga ushqimi, sepse kryeministri ktheu kokën çastin e fundit para të hynte në avion, për t’i përshëndetur. Ministres së Shëndetësisë dhe atij të Brendshëm u ngelën dardhat në fyt, dhe u zëvendësuan nga dy pasardhës që kishin nam për gurmazin e tyre të pastër.
P.S. Njoftimet e fundit thonë se kryeministri nuk ka ndërmend të kthehet. Madje në një takim me emigrantët shqiptarë në Amerikë, ai u kërkoi atyre votën për t’u bërë kryeministër i shtetit të Miçiganit. “Ju jeni shumicë këtu,” u tha ai patriotëve, “bile dhe emri i shtetit tingëllon shqip, sikur janë bërë bashkë në harmoni fetare Miçua dhe Ganiu. A nuk e bëjmë një Shqipëri të re nga e para? Ja, unë them ta fillojmë nga këto fasadat e ndërtesave…”. Kur e ngriti kokën, salla ishte zbrazur.
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike frutore