LIFESTYLE / Modelja Thëngjille Kaushi pushton faqet e shtypit agro-ushqimor

13 September 2026, 16:04Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
LIFESTYLE / Modelja Thëngjille Kaushi pushton faqet e shtypit agro-ushqimor
Modelja e njohur duke bërë sfoliatë

TIRANË – Nëse koleksioni i ri verë 1955-vjeshtë 2026, i prezantuar së fundi nga shtëpia e njohur e modës PS (Pushta dhe Sarahosha) do duhej të kishte një emër, ai është i pagabueshëm: Modelja Thëngjille Kaushi! E cila bëri sërish lajm edhe në pasarelën e fundit, duke pushtuar faqet e para të shtypit agro-ushqimor.

Duhet thënë se këtë radhë bëri përshtypje - ndoshta edhe më të madhe se veshja dhe aksesorët – portreti radikalisht i transformuar i prurjes së agjencisë së famshme të modeleve “Sekretet e Bellës”. Aq sa edhe fotografët e revistës “Bagëti e Bujqësia”, që zakonisht fiknin pajisjet, kthenin kokën nga ana tjetër dhe bënin muhabet me njëri-tjetrin kur sfilonte ajo, u shastisën dhe nisën të shkrepnin foto papushim, derisa u dogjën aparatet.

Edhe për më profanët, ra në sy se Znj.Kaushi kishte hequr përfundimisht dorë nga mustaqet dhe barsetat, mjekra pothuaj nuk binte në sy, dhe më kryesorja, për flokët nuk kishte përdorur trajtim me dhjamë keci si zakonisht. Për shkak të lehtësimit të peshës, flokët ishin gufuar dhe ishin kthyer anash, duke ekspozuar një fytyrë e cila… çuditërisht nuk kishte më sytë e mëparshëm të modeles.

* 

Ç’kishte ndodhur me vajzën, e cila vetëm pak muaj më parë ishte shprehur: “Unë nuk e ndërroj PS-në, edhe pse më ka kërkuar të bëj disa sfoliata edhe firma franceze Koko Kanal!”?

Sekretin e zbuloi për shtypin e specializuar vetë kovaçi që u mor me servisin dhe kolaudimin e Znj. Kaushi, i mirënjohuri Molti Pulla.

“Duke qenë se modelja i kishte paguar taksat vjetore por nxirrte shumë tym, unë vendosa t’i tërhiqja sytë me llastik, për t’i theksuar sa më shumë kapaqet e syve. Kështu, i tërhoqa qerpikët me leukoplast, ja lidha me veshët, ndërsa vetullat ja ndava me vijë në mes, siç është moda e fundit në Kirgizistan,” pohoi eksperti, duke shtuar, “kisha shumë frikë se mos në vend që t’i vija vetulla, do t’i nxirrja sytë, por në fund doli gjithçka mirë”.

Trajtimi i dytë special për engjëllin e Bellës në studion e kovaçit, ishte bojatisja e fytyrës.

Zoti Pulla shpjegoi se ishte në dyshim mes përdorimit të një sherbeti të lehtë gëlqereje, bojës plastike, hidromatit, anti-ruxhos apo t’i qëndronte stilit klasik të bojës së vajit, që nuk del kurrë nga moda. Por vetë modelja i kishte refuzuar të gjitha këto trajtime.

“Nuk më pëlqen asnjëhera. Sa herë i kam pirë, më ka ardhur për të vjellë dhe kam përfunduar në spital,” i ishte rrëfyer Kaushi, “më gjej diçka më të lehtë”.

Kovaçi kishte hequr dorë nga shpjegimi se ato lëndë nuk piheshin, dhe i propozoi të provonin disa substanca dhe produkte që i përdornin edhe njerëzit.

“Kështu aplikova një pudër ngjyrë mishi. I pëlqeu shumë aroma dhe deshi ta hante, por i bërtita: Kuç, urtë aty! I dhashë një salçiçe dhe u qetësua”.

Në vijim, me pak rimel, ca të kuq faqesh dhe një furçe të lehtë, portreti kishte ndryshuar totalisht.

Sa për flokët, për çudi kovaçi i famshëm deklaroi se nuk kishte bërë asgjë të veçantë.

“Thjesht ja lava nja shtatë herë se nuk zinin shkumë, dhe ato fup, u ringjallën dhe u gufuan. Edhe ajo vetë u pataks nga ndryshimi,” tha i kënaqur eksperti.

* 

Pasarela ishte një triumf i vërtetë. Fustani i zi post-modern, me një të çarë të lehtë anësore që shkonte deri në sqetull, çanta me lëkurë cjapi të zier dy herë, hapi i sigurtë dhe vështrimi moskokëçarës, tërhoqën vëmendjen e të gjithëve. Policë, gardistë, shitës farash dhe shoferë – audienca besnike e sfilatave të PS-së – nxorrën aparatet celulare dhe nisën të bënin foto. Ndërsa kopertina e revistës “Fshati të rrethojë Qytetin” doli me titullin: “Tani edhe një sulm për të mësuar numrat, dhe kompletohesh!”

Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike që nuk bën dallim mes sfilatës dhe sfoliatës


Video