EKSKLUZIVE / Fjalimi i vërtetë i kryemisrit shqiptar në OKB

27 September 2026, 12:21Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
EKSKLUZIVE / Fjalimi i vërtetë i kryemisrit shqiptar në OKB
Kryemisri shqiptar duke folur në OKB

Erdhi edhe rradha ime për të predikuar në këtë humbëtirë ku nuk ka një pëllëmb tokë, e ku mbijnë vetëm gjemba.

I dashur President i OKB-së Andon Gurabardhi, dhe ju përfaqësues të katundarisë globale që nuk merrni hiç erë nga jeta!

Më pyetnë duke ardhur këtu: Ore si ka munci që keni kaq shumë inteligjencë ju andej nga Shqipëria? Cili është sekreti juaj?

Tani, unë nga inteligjenca nuk marr vesh, por dy fjalë do t’i them: Sazani dhe Zvërneci i takojnë Ivankës dhe pikë! Ajo i zbuloi, ajo i meriton! Dhe t’i gëzojë bashkë me burrin e saj, Xharedin, me kalamanët e fis e farë e gjithë ç’u do zëmra! Ja gëzuarshi! 

Ata që protestojnë, nuk ekzistojnë, janë algoritme interneti të atyre që nuk duan që familja Kushner të integrohet në BE në vitin 2028. 

Po ju them një sekret që s’e di askush: E dini ju që pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri kishte më shumë hebrenj… e dini? E kam thënë aq shumë herë sa jam bërë bozë? E mo mirë, se njerëz jemi, nuk jemi kompjutra (Diellë moj, t’u djegtë karta grafike, ç’është ky fjalim që më ke shkruar!).

Po, mirë, po ktë tjetrën e dini? Shtëpia e shqiptarit është e zotit dhe e mikut…Cilit zot? Tani, unë jam edhe orthodhoks, edhe katolik, edhe bektashi, edhe jahudi, edhe hindu. Prandaj, shtëpia e shqiptarit është e të gjithë zotave e miqve. Pra, si biçim Air Bnb-je.

Nejse, që të mos shpërndahem. 

Ja ç’bën inteligjenca artificiale në duart e gabuara: Shpik sikur Shqipërinë e drejtojnë izraelitët dhe të tjerët nisin ta besojnë. Bile shpikin edhe personazhe inekzistentë, si njëfarë Ron Yefet, që paska marrë frenat e qeverisë në dorë.

Sikur Roni sajon kompanira e projekte, dhe hyn e del në buxhetin e shtetit si në dyqanin e t’et. 

Këto janë shpifje! Frenat e qeverisë s’ka lindur hala ai burrë nëne që të m’i marrë mua, dhe Roni nuk bën asgjë pa lejen dhe dijeninë time… E kam fjalën, nuk do bënte asgjë, nëse do ekzistonte. 

Por narrativat e stimuluara nga aktorë dashakeqë përmes inteligjencës artificiale, nuk duhet të na frenojnë në përdorimin e saj, ndryshe do mbetemi mbrapa, do katandisemi mikroborgjezë si në kohën e turkut. Ja, ne kemi Diellën, shefen tonë artificiale, që shumëkush besonte se nuk do zgjaste shumë në detyrë. Por ja ku jemi sot:

Gjysma e misrave dhe zv.kryemisrave të qeverisë, e drejtorëve dhe kryebashkiakëve, janë në burg, ndërkohë që Diella rron e mbretëron, bashkë me fytyrën që ja kemi shtetëzuar një aktoreje për nevoja publike, dhe s’kemi ndërmend t’ja kthejmë. 

 Por unë nuk kam ardhur të flas as për protestat, as për të shpjeguar sesi ka mundësi që gjithë zyrtarët e bashkëpunëtorët që kam zgjedhur, ose 

a) janë në burg për vjedhje, ose 

b) po bëhen gati për burg, ose 

c) janë ende duke vjedhur me mendje të fjetur se i pret burgu.

Unë kam ardhur të flas për dilemat e mëdha botërore të Inteligjencës Artificiale, se nuk i plas kujt për atë skutë ku më ka rënë tersi të kem lindur. 

Aq më pak, të flas për shefen e Shërbimit Inteligjent, e cila bëri gafën e madhe që pavarësisht se kishte gjithë atë emër të bukur, Vlora, shkon e lidhet me Gysin nga Durrësi. Pse me çupë, mbaruan vlonjatët apo si? Po dhe unë, sa e mora vesh, e hoqa nga puna, edhe pse më paralajmëruan: “Do ta kërkojmë Vlorën admiral, po do jetë vonë! Do bredhim si çifutët nëpër shkretëtirë!”

Por jo zotërinj, e kundërta është e vërtetë. Në vendin tim, tani çifutët bredhin nëpër Vlorë, Vlora është në arrest shtëpie, Barjami ha përshesh, ndërsa shkretëtira e vërtetë është këtu, në OKB, ku kam tre orë që pres rradhën për të mbajtur fjalim vetëm me një sanduiç dhe një shishe ujë. Mendojeni pak, gjithë kjo mbledhje, pa orkestër!

Vini Re: Ky është fjalimi i vërtetë i Kryemistrit, që Patronazhisti ja mori në mirëbesim Diellës, pasi kjo e fundit iu betua: “Për ty i djeg të gjitha qarqet”…       


Video