PROTESTOSKOPI I NËNTORIT / Plaku i PD-së ndjek çdo grumbullim njerëzish, Rama merr haber nga qeveria

2 November 2026, 20:09Patronazhisti SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
PROTESTOSKOPI I NËNTORIT / Plaku i PD-së ndjek çdo grumbullim
Plaku duke gjurmuar kudo ku ka grumbull njerëzish, për t'u futur mes tyre dhe udhëhequr drejt së ardhmes

DASHI

Kujdes kur je në shoqërinë e dy ose më shumë personave dhe perceptohesh si grup. Sepse mund të biesh nën ndikimin e një plaku nga PD-ja, që do afrohet ashtu zdruq-zdruq, duke kujtuar se je grup proteste. Plaku do premtojë të të udhëheqë drejt të ardhmes tënde dhe fitores së tij, së bashku me Mulin, Banën, Gjekë shakatorin dhe Klevisin që akoma bie era Lanë. Në përgjithësi, bëj kujdes në çdo grumbullim, qoftë për ditëlindje, mbrëmje mature, fejesë ose synetllëk, sepse plaku do të të shfaqet befas nga hiçi. Ngaqë vetë nuk mbledh dot as dhjetë vetë, atë e ka kapur një neps akut për çdo tufë njerëzish të mbledhur, qoftë dhe rastësisht.  

DEMI

Mërkuri do tentojë të hyjë në jetën tënde këtë muaj. Më saktë, në shtëpinë tënde, për të të marrë ato pak para që mban mënjanë për ndonjë hall. Por ti do ta pikasësh, do t’i hysh në dru dhe do të të mbajnë në komisariat për fyerje të dinjitetit dhe personalitetit të komshiut hajdut. Ato lekë që mendove se shpëtove, do t’ia japësh prokurorit për të zbutur akuzën. Në fund të fundit, për ditë halli i kishe ruajtur, apo jo?

BINJAKËT

Yjet do rreshtohen në mënyrë të atillë në shenjën tënde, që ti të sulmosh dhe thyesh një bankomat në Rrugën e Elbasanit, me shpresën se do gjesh ndonjë lek brenda nga ato që ka vjedhur qeveria, për t’ia shpërndarë popullit. Pastaj yjet do rreshtohen enkas që fytyra jote të identifikohet nga kamerat, ty të të arrestojë policia dhe të të plasë në komisariat, në të njëjtën qeli me Demin këtu më sipër.

GAFORRJA

Në qoftë se e keni emrin Edi dhe mbiemrin Rama, përgatituni se do merrni habere nga qeveria. Zyra juaj do transferohet nga bulevardi kryesor i Tiranës, në një apartament të këndshëm në “Myslym Shyri”, sepse ashtu e ka vendosur Bella Ballukja. Nuk ka lezet, do të të thotë ajo, që Lalin ta lëvizi nga Durrësi në Fier, ndërsa ti të mos zhvendosesh as 500 metra më tutje. Arsyeja megjithatë, është madhore: Asaj i duhet shumë hapësirë, sepse gjithë ato kuti me euro nuk mund t’i nxejë një palo vilë në Palasë.  

LUANI

Je nën ndikimin e Afërditës dhe s’e luan topi. Ajo të thotë çfarë të bësh, si të vishesh, çfarë të hash, ku të shkosh, kë të takosh. Duhet ta kuptosh sa s’është vonë se Afërdita që ti ja vë veshin kaq shumë, nuk është planet horoskopik, po goca e tezes së kunatës që mezi ka bërë nëntë klasë shkollë.   

VIRGJËRESHA

Nganjëherë, gjërat më të mrekullueshme njeriu i gjen në vendet ku e pret më pak, qofshin këto kënaqësia estetike, dashuria e vërtetë, paqja e mendjes, ose, në rastin tënd, një xhaketë super elegante me ulje çmimi, që do t’u bashkohet njëzet xhaketave të tjera që ke në raftin e rrobave.

PESHORJA

Ti vepro si të duash, por gjithmonë kije parasysh: Sado ters të të shkojnë gjërat në jetë, sado e pashpresë të duket situata, sado të të mërzisin në punë, ti në fund të ditës e ke një shtëpi dhe një familje, ku mund të shkosh dhe t’i bërtasësh televizorit sa herë të del Erjon Braçja.  

AKREPI

Nganjëherë fjalët nuk arrijnë të shprehin ashtu siç duhet ndjesitë dhe përjetimet e njerëzve, dhe ato që ata realisht mendojnë për ty. Prandaj ti gjen shpeshherë mëngjeseve, qese plehrash te dera e shtëpisë.

SHIGJETARI

Për të zgjidhur keqkuptimin tënd të madh, yjet po ta theksojnë edhe një herë: Pse je shigjetar në horoskop, nuk do të thotë të vish vërdallë me hark dhe shigjetë duke lemerisur dynjanë, o hajvan! Mendo pak: Çfarë do bëje po të ishe gaforrja?

BRICJAPI

Aktivistët për të drejtat e kafshëve do të të akuzojnë sërish për sjellje mizore dhe çnjerëzore, edhe pse ti do lodhesh më kot t’u shpjegosh se pulën e kishe blerë në dyqan, dhe tek e fundit ti një kofshë hëngre o të shkretën…

UJORI

I more vesh më të fundit? Dielli është afruar me Virgjëreshën, Marsi po jep e merr me Peshoren, Hëna ja ka marrë komplet mendjen Bricjapit… vetëm ti ngele tek pullë mor derëzi!

PESHQIT

Alarmi yt mbarë-planetar pse njeriu i zemrës nuk është bërë i gjallë plot një orë pasi jeni ndarë bashkë, është i krahasueshëm vetëm me zemërimin tënd universal pse njeriu i zemrës u vonua dy minuta në takimin e para një ore. Një detaj: Ti harron se me këto alarme, njeriun e zemrës mund ta lërë zemra.  

Vini Re: Patronazhisti është thjesht rubrikë satirike dhe teksti i mësipërm nuk është ai materiali i vërtetë shkencor që kanë horoskopet e vërteta


Video