
Historia përsëritet: herën e parë si tragjedi, herën e dytë si farsë.
Samiti i parë i Jaltës u zhvillua në një pallat të rrënuar carist në gadishullin e Krimesë, në shkurt të vitit 1945. Trupat e Hitlerit ishin tashmë në tërheqje, kur presidenti Franklin Roosevelt, kryeministri Winston Churchill dhe diktatori sovjetik Josef Stalin u takuan në dhoma të ftohta e me lagështirë për të diskutuar përfundimin e luftës. Gjeneralët e lartë dhe ndihmësit presidencialë flinin mbi dyshekë të mbushur me çimka. Churchill ankohej se Jalta nuk vlente për asgjë, përveç “tifos dhe morrave vdekjeprurës që lulëzojnë në ato anë”. Pas takimit, ai kërkoi që rrobat e tij të dezinfektoheshin.
Tetë dekada më vonë, samiti i Jaltës kujtohet kryesisht jo për ndërtimin e paqes, por për faktin se i la vendet e Evropës Lindore, udhëheqësit e të cilave nuk ishin të pranishëm në tryezë, nën pushtimin dhe represionin sovjetik për gjysmën e shekullit që pasoi. Me fjalë të tjera, në emër të përfundimit të një lufte kundër totalitarizmit fashist, Jalta ndihmoi në përhapjen e totalitarizmit komunist dhe hodhi farat e Luftës së Ftohtë.
Samiti i parëndësishëm Trump-Putin-Xi në Shenzhen, i cilësuar nga naivët si “Jalta 2.0”, ishte një ngjarje më e përshtatshme për kohët tona qesharake. Nuk u nënshkrua asnjë marrëveshje serioze. Nuk u ndryshuan kufijtë e asnjë vendi mbi cepin e një pecete letre. Askush nuk u infektua nga morrat apo nuk u pickua nga çimkat. Përkundrazi, takimi ishte i shkurtër, pothuajse pa përmbajtje dhe i organizuar me kujdes për të sjellë përfitimin maksimal për mikpritësit kinezë.
Qëllimi i tij i vërtetë nuk ishte t’i jepte fund ndonjë lufte — dhe sigurisht jo pushtimit të përgjakshëm rus të Ukrainës — por të prodhonte fotografi dhe videoklipe propagandistike, të cilat secili prej tre liderëve do t’i përdorë tani për të mbuluar dështimet e veta politike.
Padyshim, ky ishte qëllimi kryesor i presidentit Trump. Përpara takimit të tre liderëve, ai i tha televizionit Fox News se momenti më domethënës kishte ndodhur tashmë: “përshëndetja e djeshme, e cila në historinë e Kinës nuk ka ndodhur kurrë”. Xi Jinping, duke e ditur se sa lehtë mund të manipulohet presidenti amerikan, e kishte pritur Trumpin te avioni, në pistën e aeroportit.
“Ky është një president shumë i respektuar, ky është një nga presidentët e mëdhenj të Kinës — dhe ai nuk ka shkuar kurrë në aeroport për të pritur dikë”, deklaroi me pompozitet Trump.
Ai foli gjithashtu për “fanfarat, bukurinë, ceremoninë madhështore, mijëra njerëzit, fëmijët e vegjël, ushtarët, të gjithë atë spektakël”, duke shtuar: “Ky është një sukses i madh për ne. Është gjithashtu një sukses i madh për Kinën”.
Shtëpia e Bardhë publikoi një videoklip, që dukej sikur ishte krijuar për të promovuar komunizmin kinez. Në të shfaqej gjithë ai spektakël ceremonial, me Trumpin në qendër të vëmendjes. Një sukses i madh për Kinën, me të vërtetë, dhe ndoshta edhe për egon e Trumpit pas zgjedhjeve të mesmandatit, por sigurisht jo një sukses i madh për Shtetet e Bashkuara.
Për Putinin, takimi prodhoi gjithashtu material të dobishëm propagandistik. Tashmë pothuajse pesë vjet në një luftë që ai besonte se do ta fitonte brenda tri ditësh, Putini po përballet me 1.5 milionë viktima ushtarake; me humbjen, sipas të dhënave të kësaj jave, të gjysmës së kapacitetit të rafinimit të naftës në vendin e tij; dhe madje, gjatë ditëve të fundit, me shkatërrimin e urës së Kerçit, e cila lidh Rusinë me Krimenë.
Putini e ndërtoi këtë urë dhe mori pjesë personalisht në ceremoninë e përurimit, duke e trajtuar atë si një ngjarje madhore kombëtare. Gjatë ditëve të fundit, ukrainasit e kanë goditur urën tri herë, duke shkatërruar plotësisht lidhjen rrugore dhe duke ndërprerë, të paktën përkohësisht, edhe trafikun hekurudhor.
Megjithatë, Putini do ta përdorë takimin në Shenzhen për t’u thënë rusëve se vendi i tyre është ende një superfuqi, se ende lejohet të ulet në të njëjtën tryezë me amerikanët dhe kinezët dhe se vazhdon të ketë rëndësi në skenën botërore, edhe pse fuqia, ndikimi dhe prosperiteti i Rusisë po tkurren në mënyrë dramatike.
Për Xi Jinpingun, takimi ishte i dobishëm sepse ai ishte mikpritësi, ai organizoi fotografitë dhe propaganda e tij u transmetua në mbarë botën. Me bashkëpunimin e Trumpit, ai përcolli mesazhin e rënies amerikane, fuqisë kineze dhe nënshtrimit rus.
Edhe pse ekonomia kineze po përjeton një krizë në sektorin e pasurive të paluajtshme, humbje në industrinë prodhuese dhe papunësi kronike, Xi arriti ta paraqiste Kinën si të vetmin vend serioz në atë tryezë. Presidenti amerikan fliste pa pushim për pritjen në aeroport.
Rusia është e falimentuar pa mbështetjen kineze. Ndërkohë, Xi, i sigurt se kishte arritur të siguronte teknologjinë amerikane të mikroçipave, për të cilën kanë nevojë ushtria dhe industria e tij, ishte mjeshtri i ceremonisë.
E fshehur brenda kësaj historie pompoziteti dhe lajkatimi gjendet edhe një lajm i mirë.
Udhëheqësit që morën pjesë në samitin e Jaltës në vitin 1945 ishin vërtet në gjendje të vendosnin fatin e vendeve më të vogla, pa i pyetur ato dhe kundër vullnetit të tyre. Tre liderët në Shenzhen nuk e kanë më atë lloj pushteti.
Sigurisht, presidenti amerikan nuk ka më asnjë kartë në dorë, për të përdorur shprehjen e tij, në Ukrainë. Pavarësisht se është shkëputur nga çdo ndihmë ushtarake dhe financiare amerikane, Ukraina ka vazhduar të luftojë, falë mbështetjes evropiane dhe burimeve të veta.
Putini nuk mund të ëndërrojë të dominojë vendet evropiane, ekonomia e përbashkët e të cilave është shumë më e madhe se ajo e Rusisë. Ndërsa Xi është ende shumë larg aftësisë për të dominuar Azinë.
Bota ka ecur përpara që nga viti 1945 — madje edhe që nga viti 2022. Kur ukrainasit goditën urën e Kerçit, ata përdorën sisteme armësh të prodhuara prej tyre, të cilat nuk ekzistonin në fillim të pushtimit rus në shkallë të plotë.
Gjatë muajve të fundit, edhe iranianët kanë qenë në gjendje të godasin bazat amerikane dhe objektiva në shtetet e Gjirit Persik, duke përdorur teknologji dronësh ruse po aq të reja.
Tashmë jetojmë në një botë konfliktesh asimetrike, ku edhe fuqitë që pretendojnë se përfaqësojnë qytetërime të mëdha po zbulojnë se mund të humbasin beteja përballë kundërshtarëve shumë më të vegjël.
Nëse samiti në Shenzhen dukej anakronik dhe i dalë mode — një përpjekje e dështuar për të rikrijuar shkëlqimin e së kaluarës së Luftës së Ftohtë — kjo ndodhte sepse pikërisht i tillë ishte.
The Atlantic