
Pas më shumë se tetë vitesh udhëtim në hapësirë dhe një distance prej rreth 6 miliardë miljesh, misioni i përbashkët europiano-japonez BepiColombo ka mbërritur në Mërkur, planetin më të afërt me Diellin dhe më të voglin në Sistemin Diellor.
Tashmë, sonda hapësinore po përgatitet të hyjë në orbitën e tij, me synimin për të zbuluar disa nga misteret që shkencëtarët nuk kanë arritur ende të shpjegojnë.
Ky mision, me një kosto prej 1.6 miliardë eurosh, konsiderohet një nga përpjekjet më të rëndësishme për të kuptuar më mirë Mërkurin. Studiuesit shpresojnë të zbulojnë se si u formua planeti kaq pranë Diellit, pse ka një fushë magnetike dhe çfarë përmban akulli që fshihet në krateret e tij, ku rrezet e Diellit nuk arrijnë kurrë.

BepiColombo do të jetë vetëm misioni i dytë në histori që do të vendoset në orbitën e Mërkurit. Për të arritur këtë objektiv, kontrollorët e fluturimit do të aktivizojnë motorët e sondës, duke e ngadalësuar dhe orientuar atë drejt orbitës së planetit.
Udhëtimi drejt Mërkurit nuk ka qenë aspak i lehtë. Afërsia me Diellin bën që anijet hapësinore të përshpejtohen nga forca e tij gravitacionale, ndaj duhet të frenojnë vazhdimisht për të mos e kaluar planetin me shpejtësi. Sipas studiuesve, kjo e bën misionin jashtëzakonisht kompleks dhe të vështirë.

Por çfarë e bën Mërkurin kaq interesant për shkencëtarët?
Pavarësisht përmasave të vogla, planeti ka një masë katër herë më të madhe se Hëna, ndërsa është vetëm 50% më i madh se ajo. Një nga misteret kryesore që misioni synon të zgjidhë është pikërisht dendësia e tij e pazakontë dhe bërthama jashtëzakonisht e madhe.
Mërkuri është gjithashtu një botë ekstremesh. Ai ndodhet rreth 36 milionë milje larg Diellit dhe temperaturat në sipërfaqen e tij mund të arrijnë deri në 450 gradë Celsius gjatë ditës. Por sapo bie nata, ato zbresin deri në -180 gradë Celsius. Për më tepër, një rrotullim i plotë rreth boshtit të tij zgjat 58 ditë tokësore, çka bën që një zonë e planetit të përjetojë rreth tre muaj dritë dhe tre muaj errësirë.
Në fillim të dhjetorit, anija hapësinore do të ndahet në dy sonda të veçanta, një evropiane dhe një japoneze, të cilat do të vendosen në orbita të ndryshme rreth planetit. Sonda evropiane do të fotografojë dhe hartëzojë sipërfaqen e Mërkurit me detaje të larta, ndërsa do të studiojë edhe strukturën e tij të brendshme. Nga ana tjetër, sonda japoneze do të përqendrohet te fusha magnetike dhe shtresa shumë e hollë e gazrave që rrethon planetin.
Shkencëtarët do të përdorin kamera të avancuara, instrumente për analizimin e gazrave, pajisje për matjen e fushës magnetike dhe teknologji lazer për të krijuar një pamje sa më të plotë të këtij planeti misterioz. Vëzhgimet shkencore pritet të nisin në prill të vitit të ardhshëm.
Entuziazmi është i madh edhe mes studiuesve që kanë punuar prej vitesh për këtë projekt. Profesoresha Emma Bunce nga Universiteti i Leicesterit, e përfshirë në mision prej 20 vitesh, e ka cilësuar mbërritjen si një moment emocionues pas një pritjeje shumë të gjatë.
Dy sondat pritet të qëndrojnë në orbitën e Mërkurit për rreth tre vjet. Pasi të përfundojnë karburantin, ato do të humbasin gradualisht lartësinë dhe në fund do të përplasen me sipërfaqen e planetit.
Edhe pse misioni do të ketë një fund pa kthim për sondat, shkencëtarët shpresojnë që të dhënat e mbledhura prej tyre të ndryshojnë mënyrën se si kuptojmë Mërkurin dhe, njëkohësisht, historinë e formimit të planetëve në Sistemin Diellor.