“Prej një viti pa parë dy djemtë”, motra e Neda Ballukut i shkruan Ramës: Institucionet nuk po zbatojnë vendimin e gjykatës

20 Nëntor 2026, 22:38Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Prej një viti pa parë dy djemtë”, motra e Neda
Neda dhe Simona Karafili

Simona Karafili Demi, motra e Neda Karafilit (Balluku), i është drejtuar me një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve për zgjidhjen e konfliktit familjar mes motrës së saj dhe Ogren Ballukut.

Ajo ngre shqetësimin se prej më shumë se një viti Neda Karafili nuk arrin të takojë dy djemtë e saj të mitur, pavarësisht një vendimi gjykate që parashikon takimet me fëmijët.

Simona Karafili Demi shprehet se vendimet gjyqësore nuk po zbatohen në praktikë dhe se motra e saj ka trokitur disa herë në dyert e institucioneve për të kërkuar zgjidhje, por pa marrë përgjigjen e duhur.

Ajo thekson në letër se nuk po i kërkon kryeministrit të ndërhyjë në procesin gjyqësor apo të mbajë anën e njërit prej prindërve, por të garantojë funksionimin e institucioneve që kanë përgjegjësi për zbatimin e vendimeve dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.

“Çfarë duhet të bëjë më shumë një nënë për të mos u kthyer në një të huaj në jetën e fëmijëve të saj?”, është një nga pyetjet që ajo i drejton kryeministrit në fund të letrës.

“Fëmijët nuk janë pronë e asnjërit prej prindërve. Mëmësia nuk është një privilegj që mund të jepet apo të hiqet sipas vullnetit të ish-bashkëshortit”, shkruan Simona Karafili Demi, duke kërkuar që letra të mos mbetet një tjetër dokument në dosjet e institucioneve, por të pasohet nga veprime konkrete.

Letra Simona Karafili Demit:

LETËR E HAPUR DREJTUAR KRYEMINISTRIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, Z. EDI RAMA

I nderuar z. Kryeministër Edi Rama,

Po ju drejtohem publikisht jo si një qytetare që kërkon një favor, as si dikush që kërkon të ndikojë në një proces gjyqësor, por si motër e një gruaje dhe si qytetare e këtij vendi, e cila po përballet me një situatë që ngre pikëpyetje serioze mbi funksionimin e institucioneve që duhet të mbrojnë të drejtat e qytetarëve.

Ime motër sot, Neda Karafili, nënë e tre fëmijëve të mitur, është e detyruar të flasë publikisht. Jo sepse dëshiron të ekspozojë jetën e saj private, por sepse ka ardhur në një pikë ku heshtja nuk po i lë më asnjë rrugë për të kërkuar ndihmë.

Përballe një situate ku e drejta e saj për të qenë nënë, për të rritur fëmijët dhe për të marrë pjesë në jetën e tyre është kthyer në një betejë të pafundme.

Sipas asaj që po përjeton motra ime, vendimet gjyqësore që lidhen me marrëdhënien e saj me fëmijët nuk po gjejnë zbatimin e duhur në praktikë.

Dhe këtu fillon pyetja ime për ju.

Çfarë vlere ka një vendim gjykate nëse ai mbetet vetëm një dokument në letër?

Çfarë kuptimi ka drejtësia, nëse qytetari duhet të trokasë pafundësisht në dyert e institucioneve për të kërkuar zbatimin e një vendimi të marrë pikërisht nga organi që duhet të garantojë drejtësinë?

Nuk po flas vetëm për dhimbjen time si grua, si nënë e si teze. Po flas për të drejtën e një fëmije për të mos u shkëputur nga njerëzit që e duan, për të mos u privuar nga lidhjet e tij familjare për shkak të konfliktit mes prindërve.

A e kuptoni çfarë do të thotë kjo për një fëmijë?

Dhe ku janë institucionet që duhet të ndërhyjnë për të garantuar që këto marrëdhënie të mos shkatërrohen?

Ku është Shërbimi i Përmbarimit kur vendimet gjyqësore nuk zbatohen?

Ku janë strukturat e mbrojtjes së fëmijëve dhe shërbimet sociale kur marrëdhënia e një fëmije me njërin prind rrezikon të ndërpritet?

Dhe mbi të gjitha, çfarë përgjegjësie mbajnë punonjësit e institucioneve publike që, në vend të profesionalizmit, empatisë dhe respektit për qytetarin, zgjedhin arrogancën dhe komunikimin përçmues?

Nuk mund të pranojmë që qytetarët të trajtohen sikur po kërkojnë një nder personal nga administrata publike. Ata po kërkojnë shërbimin për të cilin këto institucione ekzistojnë dhe për të cilin paguhen nga taksat e tyre.

Z. Kryeministër,

Nuk po ju kërkoj të ndërhyni në një vendimmarrje gjyqësore. Nuk po ju kërkoj të merrni anën e njërit apo tjetrit prind. Pasi kjo është shumë larg përgjegjësive te një shtetari. Po ju kërkoj të garantoni që institucionet në varësi të pushtetit ekzekutiv të kryejnë detyrat e tyre, që vendimet gjyqësore të ndiqen për zbatim dhe që asnjë qytetar të mos lihet të endet nga një zyrë në tjetrën pa marrë përgjigje dhe pa gjetur zgjidhje ligjore.

Ligji nr. 18/2017 për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës njeh të drejtën e fëmijës për të ruajtur kontakte të rregullta dhe marrëdhënie personale me të dy prindërit, përveç rasteve kur kjo bie ndesh me interesin e tij më të lartë. Ai njeh gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve me të afërmit.

Këto nuk janë kërkesa emocionale të një nëne apo të një familjeje. Janë të drejta që duhet të kenë mbrojtje reale.

Prandaj, kërkoj publikisht:

 1. Shqyrtimin institucional të mënyrës se si po trajtohet rasti i motrës sime nga strukturat përgjegjëse.

 2. Verifikimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore që lidhen me kontaktet dhe marrëdhënien e saj me fëmijët.

 3. Angazhimin e strukturave të mbrojtjes së fëmijëve dhe shërbimeve sociale për të vlerësuar situatën dhe për të garantuar interesin më të lartë të fëmijëve.

 4. Verifikimin e sjelljes dhe profesionalizmit të punonjësve të institucioneve ku ajo ka kërkuar ndihmë.

 5. Një përgjigje institucionale konkrete, jo një përgjigje formale që e kalon përgjegjësinë nga një zyrë në tjetrën.

Dhe dua ta mbyll me një pyetje që besoj se meriton një përgjigje jo vetëm nga ju, por nga i gjithë shteti shqiptar:

Çfarë duhet të bëjë më shumë një nënë për të mos u kthyer në një të huaj në jetën e fëmijëve të saj?

Të shkojë në gjykatë? Ka shkuar.

Të kërkojë zbatimin e vendimeve? E ka kërkuar.

Të trokasë në dyert e institucioneve? I ka trokitur.

Të durojë, të presë dhe të heshtë? Ka duruar mjaftueshëm.

Të dalë publikisht dhe të ekspozojë dhimbjen e saj? Edhe këtë po e bën.

Të ngjitet në Hënë për të kërkuar ndihmë?

Një nënë nuk duhet të detyrohet të bëhet publike për të mbrojtur të drejtën e saj për të qenë e pranishme në jetën e fëmijëve të vet. Por kur institucionet nuk e dëgjojnë, ajo ka të drejtë ta ngrejë zërin aq fort sa të mos mund ta injorojnë më.

Unë jam motra e saj. Nuk mund të jem indiferente. Nuk do të hesht përballë një situate që prek jo vetëm motrën time, por edhe fëmijët e saj, të cilët kanë të drejtën të rriten pa u privuar nga dashuria dhe marrëdhënja me nënën e tyre.

Fëmijët nuk janë pronë e asnjërit prej prindërve. Mëmësia nuk është një privilegj që mund të jepet apo të hiqet sipas vullnetit të ish-bashkëshortit. Dhe drejtësia nuk mund të ekzistojë vetëm në vendimet e shkruara, por duhet të ndihet në jetën e njerëzve.

Pres që kjo letër të mos përfundojë në një dosje tjetër, por të shërbejë si një thirrje për përgjegjësi dhe veprim institucional.

Me respektin që meriton detyra juaj, por edhe me vendosmërinë e një motre që nuk pranon të heshtë,

Një motër. Një qytetare. Një grua që kërkon drejtësi.

Simona Karafili Demi

 


Video