Mirëmëngjes dhe ja ku jam!
U çuditët hë, kujtuat se kisha ikur me të njëjtat pizhama si këto që kam veshur, por këto janë të tjera… po trokit mi goc, ça do? Nuk e shef që po u drejtohem protestuesve me editorial televiziv? Lëre kafen aty dhe mu zhduk që këtej…
Kështu pra, se do bëjmë dhe ndonjë shaka. Vendosa të jem këtu në zyrën time sot, ndryshe nga herët e tjera, për t’ju parë në sy dhe të më shihni në sy, që të mos thoni pastaj, ua s’të pashë, për zotin, s’e kisha mendjen e kshtu justifikimesh.
Unë e mbaj mend mirë historinë e këtij bulevardi, ku më 21 janar protestuam kundër Likes për 700 mijë euro të qelbëta – ej, Ergyso, protestë për 700 mijë euro, ça gallate – dhe pastaj erdhëm bashkë me Liken në pushtet.
Do thoni ju, Doktori vrau katër vetë për mua dhe Liken. Dakord, por ama nuk u dogj asnjë bankë, nuk u vodh asnjë kruasan, nuk u hodh as Molotov, as Ribentrop! Pse? Se ishim të vetëpërmbajtur. Bile unë u vetëpërmbajta aq shumë, sa ndenja pak minuta tek ura e Hotel Dajtit dhe u ktheva në zyrë, pjesën tjetër ja lashë Doktorit.
Kështu që vetëpërmbajtja është A-ja dhe Zh-ja e kësaj historie. E shikoni këtë gurin e shkulur nga trotuarët e bulevardit, për t’ja hedhur policisë? Ky të bën gjëmën, por fëmijët e verbër të Shqipërisë, ata 200-300 të maskuarit që s’kanë asnjë lidhje me studentët, kanë marrë urdhër nga iranianët e Sorosit dhe kinezët e Antifa-s dhe nuk duan t’ja dinë për ju mor të mjerë.
Megjithatë, unë dua të nënvizoj me shumë forcë: Djema, ju të gurëve, molotovëve dhe hrushovëve, llastiqeve me zara dhe hunjve të shkulur nga fasadat e ministrive të pafajshme, ejani në polici, rrogat janë të mira dhe do paguheni për orët shtesë.
Sa për ata 1000-1500 studentë që kanë dalë nëpër rrugë, më dëgjoni: Unë e di që ka pakënaqësira, sepse këto janë kusuret e progresit. Unë e mbaj mend veten student. Sa më shumë bëja progres, aq më shumë kusure kisha. Por bëni durim, ju lutem. Ja, edhe dy-tre vjet dhe ju do ikni jashtë vendit si shokët tuaj, dhe kështu do biem të gjithë rehat. E kam llafin… do rregullojmë kushtet e konvikteve, do ju ndihmojmë me qeratë e shtëpive, apo jo zonja Ballukja? Patjetër, thotë shejtania. Unë pallosh? Palloshi i satëme. Po rri tani se po regjistroj mesazhin, s’ka lezet.
Kështu pra. Ejani të dialogojmë, ose më mirë, të më dëgjoni sa bukur flas unë, se ju keni fjalor tiktoku prej 25 fjalësh, si derra që jeni. Pale, po më veni edhe në universitete publike si pabuksa, doni edhe punë kur të diplomoheni surrati juaj. Pse nuk merrni shembull fëmijët e Mirela Kumbarasë, që studiojnë në Vjenë, Paris, Milano, merr vesht, me sytë e botës së madhe? E keni para La Skalën ju? Hiç nuk e keni parë.
Ejani ju them, se do vë 12 karrige përpara kryeministrisë, si 12 dishepujt e Krishtit që ju doni ta kryqëzoni. Mua domethënë. Ju jap fjalën se do flas shtruar, që të keni kohë të mbani shënime. Le që çfarë shënimesh do mbani ju, kur nuk dini shkrim e këndim. Por me këtë qeveri të poshtër, boll dhe kaq.
Një sekondë, se qeveria jam unë këto 13 vitet e fundit. Bella, dil nga zyra se më more mëndët. Jo tani, tenderin e shohim pastaj, ik po të them. Mirë, rri, po mos bëj zhurmë.
Ku ishim? Hë. Ejani se ndryshe do bëj ligjin që t’i zërë burgu edhe 12 vjeçarët, do pres bursat për studentët ekselentë dhe ata që vijnë nga familje në nevojë. Ju do thoni, si mund t’ju quaj ekselentë dhe t’ju akuzoj si injorantë? Dua mo, se jam kryeministër. Ja, jua them hapur: Ju që akuzoni deputetë e mi si analfabetë funksionalë, për vete jeni alfabetë disfunksionalë.
Hajdeni tani se s’ka lezet. Ju premtoj se do caktoj psikologë për këdo që është nën 18 vjeç, ndërsa për gjithë të tjerët që janë mbi 18 vjeç, do caktoj psikopatë… Bella boll tani! Psikopate je vetë, mos më thuaj mua! Tenderin më vonë të thashë!
Dëgjoni. Rinia do që unë të iki. Janë të inatosur, dhe me të drejtë. Rinia është gjithmonë e inatosur. Por ju nuk e dini se ju ka vënë Putini, pa e kuptuar. Është skuth ai. Ju thoni se kam vjedhur e kam bërë kërdinë, ose jam kaq hajvan sa të gjithë të zgjedhurit e mi vjedhin dhe unë s’di gjë për 13 vjet rresht.
Një gjë është e sigurtë, unë hajvan nuk jam. Ndryshe si do tu jepja policëve nga 2500 euro drang në dorë, kur kanë pesë vjet që nuk marrin orët shtesë të shërbimit?
U bëj thirrje edhe prindërve kudo që janë, në Greqi, Itali, Gjermani, që të mos i lënë fëmijët e tyre të dalin në protestë, ndryshe do t’i gjej kudo të jenë dhe do t’i heq nga puna dhe do t’u caktoj psikologë. U bëj thirrje dhe psikologëve t’i vënë gishtin kokës, se ndryshe do t’u caktoj prindër kryesisht. Në përgjithësi u bëj thirrje të gjithëve.
Unë nuk iki. E para, se duhet t’ju fus në BE. E dyta, se kam dhënë llafin dhe janë një hale lejesh, koncesionesh, kullash që duhen bërë dhe çunat presin. Kujt t’ja lë këto, Doktorit dhe Zenit? Asiheeeer!
Kështu pra. Mos u bashkoni me ata që ja duan të keqen Shqipërisë. Ejani të flasim, më thoni çfarë hallesh keni, ne do t’i mbajnë shënim dhe do t’i adresojmë në qeveri, se aty kemi shokët tanë, nuk jemi njeri pa njeri. Edhe po nuk e çova Shqipërinë në Europë, do ju çoj ju, një nga një ose grupe-grupe e tufa-tufa, siç kam bërë gjithë këto vite… Bella të raftë një pikë, ma hëngre shpirtin. Nuk të çoj te SPAK-u po hë, ja se mbarova.
Kështu pra, ju pres!
Vini Re: Patronazhisti si rubrikë satirike e përgjegjshme, gjeti mesazhin e paredaktuar të kryeministrit drejtuar studentëve dhe maskaxhinjve dhe po e boton të plotë