PARIS/TIRANË – Nuk e kishte menduar kurrë se do vinte kjo ditë. Në ato çaste aq të ngarkuara emocionalisht, iu kujtua sërish fraza e kryeministrit të dikurshëm kur e thirri në takim dhe e ftoi të bëhej ministër i Kulturës:
“Vetëm kujdes, mos bëj shumë të mira, veç ndonjë tek-tuk. Në përgjithësi njerëzit janë mosmirënjohës dhe sado të përpiqesh, nuk kanë për të ta ditur. Ja, unë po të jap një shans se kam interes, por e di si xhini që pi se do përpiqesh të ma fusësh”.
Sa shekuj më parë i dukej ajo kohë! Sa shumë kishte dhënë për këtë popull! Por ja që paskësh qenë e vërtetë; mosmirënjohja është më i keqi i veseve që mund të ketë njeriu, pale më një shoqëri.
Kishte ngjyer pallatet e qendrës me bojra; kishte prishur kioskat e shëmtuara pa leje dhe kishte ndërtuar pallate me leje duke u kërkuar ndërtuesve vetëm një 20 përqindsh të qelbur; kishte kryer një hale reforma, e bile kishte reformuar më pas edhe reformat e mëparshme; kishte nderuar Shqipërinë në botë me barcaletat e kripura, veshjet ekstravagante dhe zgjidhjen e krizave globale, duke konkurruar madje dhe kryemjeshtrin e paqebërjes, Trampin. E ç’faj kishte ai që të gjithë ministrat, deputetët, drejtorët, kryebashkiakët, kryepolicët e kryeqehallarët i qëllonin hajdutë, pushta, kriminelë ose të tria bashkë?
***
Të gjithë këto i kaluan në mendje në dy sekonda, teksa po bënte përgatitjet e fundit për të dalë nga kryeministria. Sapo kishte njoftuar se do jepte dorëheqjen. Jashtë dëgjohej gumëzhima e njerëzve që ishin mbledhur përpara godinës.
“Kokëpalarët”, shfryu, “paska patur të drejtë Lilua. Këta nuk më meritojnë. Pikë e zezë, të të heqin nga puna influencereshat!”
Mblodhi vizatimet, lapustilat, çmontoi koshin e basketbollit nga dera e zyrës dhe piu ngadalë gotën e fundit të shishes 33 mijë e 333 euro Chateau Lafitte të vitit 1959.
“Mirë 33 mijëshen, e kuptoj, është verë e shtrenjtë. Po këto 333 bishtat pse i kanë shtuar derrat? E rropën popullin e shkretë,” e gjeti veten duke menduar, por pastaj u kthjellua. Filloi ta gërvishtë e ta shkulë etiketën e shishes që mos të dallohej marka, mandej e hodhi në koshin e mbeturinave.
“Erdhi koha. Duhet të dalim zoti kryeministër,” i tha ndihmësja. Kryeministri i satëme, tha pa zë. U çua, i hodhi dhe një sy të fundit zyrës dhe nisi të zbresë shkallët.
***
Teksa u hap dera kryesore e kryeministrisë dhe një gjë e gjatë doli me një trastë në dorë, nga gjoksi i turmës u çlirua një ovacion oshëtues.
“Zhurmë, zhurmë, shumë-shumë zhurmë,” mendoi instiktivisht, pa e kuptuar se po përsëriste vargjet e këngës së tij të dikurshme. Por e kthjelloi një copë lakër që i ra në sup. Njerëzit kishin hapur një korridor dhe nuk e preknin me dorë; thjesht i hidhnin herë pas here produkte të shportës, nga ato të çmimeve të transparencës. Një vezë iu thye në kokë. E preku vendin me dorë dhe pa se ngjyra e të kuqes së vezës ishte e ndezur.
“Hajde fukarallëk hajde,” tha me vete, “vezë fshati nga ato 500 lekëshet. Dhe ankohen se s’kanë të hanë. Popull hipokrit!”
Por me zë tha gjë tjetër: “Siç e shihni, unë po largohem. Nëse kam bërë ndonjë gabim, të më falni. Do doja të rrija sa t’ju fusja në Bashkimin Europian dhe ta ulja vezën e fshatit në 350 lekë të vjetra, por juve s’ju durohet. Mirë, si të doni!”
Dhe u nis drejt makinës që për dreq kishte ndaluar larg për shkak të njerëzve. Në trup i binin domate greke, kos me qumësht pluhur dhe vaj palme, copa sufllaqesh me mish brazilian…
***
U zgjua trembshëm. Me siguri pjesa e ëndrrës me sufllaqe i gurgulloi stomakun e zbrazët dhe në fillim nuk po kuptonte ku ishte.
Por u ftillua shpejt. Sapo tentoi të kruajë kokën dhe pa thonjtë shtatë centimetra, hodhi sytë vërdallë. Ishte i njëjti vend poshtë Pont des Arts në Paris, ku shiste zhgarravinat e tij 30 vitet e fundit. E kishte zënë gjumi në stol dhe dikush e kishte mbuluar me batanije nga keqardhja.
Po përpiqej të merrte veten nga ëndrra që sapo kishte parë, por nuk dinte kur të përqëndrohej më parë, te veza e fshatit (ahhh sa i hahej një omeletë tani), te sufllaqet, te kryeministri i makthit apo tek produktet e shportës që i hidhnin protestuesit imagjinarë.
“Po po, Edi ziu”, qeshi me veten, “avash se mos të bën kush kryeministër. Luaj duart të shesësh ndonjë gjë, dhe të shkojmë të kapim ndonjë pjatë makarona, hajvan!”
U nis zdruq-zdruq te gjellëtorja e zakonshme. Pronari shqiptar, që e njihte, i jepte shpesh ndonjë kusi me makarona falas, kur nuk shiste gjë.
Duke ngrënë, hapi celularin, edhe pse lajmet nga Shqipëria kishte kohë që nuk i interesonin më. Lexoi titullin e parë tek Voxnews:
“Tiranë në flakë. Protestuesit i kërkojnë kryeministres Zengjine Kaushi të japë dorëheqjen!”…
Vini Re: Patronazhisti është rubrikë satirike hipotetike. Nganjëherë bën vaki dhe i dalin…