Prokuroria e Shkodrës apel mediave: Mos ekspozoni identitetin e të miturës viktimë trafikimi

27 Nëntor 2026, 09:52Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Prokuroria e Shkodrës apel mediave: Mos ekspozoni identitetin e të

Prokuroria e Shkodrës këtë të premte ka dalë me një reagim zyrtar lidhur me një rast trafikimi të një të miture, teksa ka bërë thirrje për respektimin e të drejtave të saj themelore, veçanërisht të privatësisë, dinjitetit dhe interesit më të lartë të fëmijës.

“Në këtë kuadër, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër, apelon ndaj të gjitha mediave audiovizive, portaleve dhe mediave të shkruara që të shmangin publikimin apo ripublikimin e çdo informacioni, fotografie, pamjeje apo detaji që mundëson identifikimin e të miturës ose të familjarëve të saj, si dhe të dhënave sensitive që lidhen me jetën dhe rrethanat e saj personale”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu Prokuroria ka kërkuar ndalimin e publikimit dhe shpërndarjes së mëtejshme, si dhe heqjen e menjëhershme të materialeve të publikuara që përmbajnë informacione denigruese, stigmatizuese apo që cenojnë privatësinë dhe dinjitetin e të miturës dhe familjes së saj.

“Ky detyrim mbështetet në nenin 54 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 17 dhe 26 të ligjit nr. 18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, nenet 21 dhe 33 të ligjit nr. 37/2017, “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, si dhe nenin 103, pika 4, të Kodit të Procedurës Penale. Këto parashikime, në përputhje edhe me nenet 3 dhe 16 të Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, garantojnë mbrojtjen e identitetit, jetës private dhe dinjitetit të fëmijës viktimë, si dhe parandalimin e riviktimizimit të tij.

Informimi i publikut duhet të ushtrohet me përgjegjësi dhe në respekt të të drejtave të fëmijës. Ekspozimi mediatik i një viktime të mitur trafikimi mund të shkaktojë viktimizim të mëtejshëm dhe të dëmtojë procesin e rikuperimit dhe riintegrimit të saj”, thuhet më tej në njoftim.

Prokuroria thekson se mbrojtja e identitetit dhe dinjitetit të viktimës nuk është thjesht një detyrim ligjor, por edhe një përgjegjësi etike dhe njerëzore.


Vox Pop

Video