
Presionet më të larta nga mungesa e krahut të punës, pensionet e pamjaftueshme për të përballuar koston e jetesës dhe struktura e një ekonomie që gjeneron kryesisht vende pune me aftësi të ulëta po i mbajnë të moshuarit shqiptarë aktivë në tregun e punës shumë më gjatë se bashkëmoshatarët e tyre në Europë në dhe Rajon.
Të dhënat e referuara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar tregojnë se Shqipëria regjistron nivelin më të lartë të pjesëmarrjes në tregun e punës në grupmoshën mbi 65 vjeç në të gjithë rajonin, duke kaluar pragun e 25%, ose më shumë se trefishin e mesatares së Bashkimit Europian.
Të dhënat që u analizuan nga FMN, tregojnë se gatishmëria e të moshuarve shqiptarë për të punuar është shumë e lartë se 5 vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe mesatares se vendeve anëtarë të B-së.
Pas Shqipërisë, në nivelin më të afërt renditet Serbia me rreth 10% pjesëmarrje të të moshuarve në tregun e punës, e ndjekur nga Mali i Zi me pak nën 8%, ndërsa mesatarja për Bashkimin Europian pozicionohet rreth nivelit 7%. Më poshtë mesatares europiane renditen Moldavia me rreth 6.5%–7%, Kosova me rreth 4%, Maqedonia e Veriut me pak mbi 3% dhe Bosnja e Hercegovina me rreth 3%.
Ndërsa në vende si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina rritja e përfshirjes së punëtorëve të moshuar shihet si një mundësi për të zgjeruar krahun e punës për shkak të niveleve të ulëta aktuale, Shqipëria paraqet një profil krejt tjetër demografik në punësim. Paralelisht me shkallën e lartë të aktivitetit të të moshuarve, vendi përballet me sfida të mprehta në krahun tjetër të grupmoshave.
Shqipëria, së bashku me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut renditet ndër vendet me përqindje të lartë të të rinjve që nuk janë as në punë, as në arsim dhe as në trajnim (grupi NEET) me mbi 20%. Ky tregues i lartë tek të rinjtë sjell humbje të konsiderueshme të kapitalit njerëzor dhe dobëson produktivitetin e përgjithshëm të ekonomisë.
Fondi Monetar Ndërkombëtar vë në dukje se për të adresuar këto disbalanca strukturore dhe për të përmirësuar performancën e tregut të punës me kërkesat e anëtarësimit në BE axhendat e reformave duhet të fokusohen në lehtësimin e tranzicionit nga shkolla në punë dhe rritjen e cilësisë së kapitalit njerëzor.
Psh Shqipëria duhet të zgjerojë programet e praktikave profesionale, të forcojë e bashkëpunimin mes sistemit arsimor dhe punëdhënësve dhe të ketë një orientim më të mirë në karrierë për të lëhtësuar hyrjen e të rinjëve në tregun e punës.
Në të njëjtën kohë, përafrimi i ofertës me kërkesën për punë mbetet kritik për rritjen e produktivitetit dhe adresimin e mospërputhjes së aftësive. Kjo nënkupton forcimin e arsimit dhe formimit profesional , modernizimin e kurrikulave me fokus të fortë tek fushat STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë), si dhe zgjerimin e programeve të rikualifikimit dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës, duke përfshirë punëtorët në fazat e mesme dhe të vona të karrierës./Monitor