Erind Goçllari është 17 vjeç. Prej tetë vitesh ai ka humbur nënën dhe jeton me të atin, motrën e vëllanë në kushte të vështira ekonomike. Familja mbahet vetëm me një pagesë invaliditeti, pasi babai nuk mund të punojë.
Në moshën kur duhet të shqetësohet për shkollën dhe ëndrrat e tij, Erindi është përballur me një gjobë prej 5 milionë lekësh të vjetër nga Policia, për pjesëmarrjen dhe aktet e pretenduara të dhunës në protestën e 7 nëntorit.
Pesë milionë lekë gjobë për një adoleshent që nuk ka as një shtëpi për të jetuar në kushte dinjitoze!
Në një vend normal, historia e Erindit do të kishte vënë në lëvizje shërbimet sociale, bashkinë dhe institucionet e mbrojtjes së fëmijëve. Dikush do t'i kishte trokitur në derë për ta pyetur se çfarë i mungon dhe si mund t'i sigurohet e ardhmja.
Në vend të kësaj, në derën e tij ka mbërritur shteti... me faturën e gjobës.
Sigurisht, varfëria nuk shërben si imunitet ndaj ligjit; nëse një i mitur ka kryer shkelje, ajo duhet hetuar e trajtuar sipas rregullave, duke marrë parasysh moshën dhe proporcionalitetin.
Por pyetja që lind natyrshëm është: pse shteti e ka shumë më të lehtë të ndëshkojë një fëmijë sesa ta mbrojë?
Në gjykatat shqiptare shqyrtohen dosje ku zyrtarë akuzohen për abuzime me miliona euro dhe askush nuk paguar ende asnjë qindarkë. Ndërkohë, ndaj një 17-vjeçari në mjerim, Policia arrin të llogarisë me përpikëri maksimale një gjobë prej 500 mijë lekësh të rinj.
A e tregon Policia e Shtetit të njëjtin zell për të kapur trafikantët, për të goditur pasuritë kriminale dhe për të çuar para drejtësisë ata që vjedhin miliona?
A është po kaq e pamëshirshme kur përballë ka njerëz me pushtet dhe para?
Pas shpërblimeve për efektivët që përballen me protestuesit (të financuara nga taksat e qytetarëve) vijnë gjobat për vetë protestuesit. Njëra dorë e shtetit shpërblen, tjetra ndëshkon, dhe të dyja duket se i kanë sytë dhe duart vetëm në xhepat e qytetarëve.
Megjithatë, historia e Erindit ka edhe një anë tjetër, atë frymëzuese. Brenda pak orësh, shqiptarët u bashkuan dhe mblodhën mbi 100 mijë euro për t’i ndërtuar një shtëpi (falë nismës së gazetarit Osman Stafa në GoFundMe dhe kujdesit të tij për rikonstruksionin). Njerëz të zakonshëm, që nuk e njihnin fare, vendosën të ndihmojnë menjëherë.
Kjo histori nuk mund të mbyllet thjesht me suksesin e një fushate bamirësie. Ajo duhet të nisë me një llogaridhënie nga institucionet: sa Erindë të tjerë jetojnë sot në harresë, pa u bërë kurrë lajm dhe pa pasur fatin e një ndihme të organizuar qytetare?
Po të interesohej shteti për jetën e këtyre të rinjve me të njëjtin zell që tregon për t'i gjobitur, ndoshta do të kuptonte më mirë edhe arsyet e vërteta që i nxjerrin në protestë.
Rasti i Erindit na kujton se solidariteti qytetar bën mrekulli, por ai nuk mund dhe nuk duhet të zëvendësojë kurrë përgjegjësinë e shtetit.
Gjoba ndaj këtij adoleshenti mbetet turpi i të gjithëve.
Përfundimisht, pyetja që mbetet pezull është: Si ka mundësi që e gjetët kaq shpejt për ta gjobitur, por nuk e kishit gjetur kurrë më parë për ta ndihmuar?