Të them të drejtën nuk më çudit më asgjë në këtë vend!
Gjykata Kushtetuese (GJK), datë 2 nëntor 2026, miratoi (me vetëm votën kundër të anëtares Sonila Bejtja) një Aneks të Rregullores së saj për shqyrtimin e çështjeve të juridiksionit të rivlerësimit që, me sa duket, i përket një tentative të pastër puçi kushtetues për të marrë kompetenca që s'janë parashikuar gjëkundi
Shumë Kolegë, pasi u njohën me përmbajtjen, kanë kontestuar pjesën ku me këtë Aneks (jo me ligj kushtetues) ju zgjat afati ONM për të marrë pjesë në këto çështje dhe që anëtarët e ONM të kenë akses te Dhoma e Këshillimit ku duhet të jenë vetëm gjyqtarët.
Për mua ky më sipër është problemi më i vogël.
Por çfarë thotë neni 179/b, pika 8 i Kushtetutës (foto më poshtë) mbi kompetencën e GJK në fazën e gjykimeve rivlerësuese?
Shprehimisht parashikohet në këtë nen që, pas skadimit të afatit të mandatit të organeve të vetingut (KPK dhe KPA) që ishte vera e vitit 2026, GJK mund të gjykonte vetëm ankimet ndaj vendimeve të KPK që ende nuk ishin përfunduar. Në përfundim të mandatit të KPA asnjë vendim i KPK i ankimuar nuk ishte i papërfunduar, përkundrazi u bënë ceremoni për suksesin e vetingut e të mbyllur brenda afatit.
Kush e detyroi GJK të shkelë Kushtetutën dhe ligjin e të marrë kompetenca gjykimi ekstra kushtetuese pa ja dhënë Kuvendi i Shqipërisë?
Sot, me këtë Aneks Rregullore, GJK i ka njohur vetes të gjykojë edhe kërkesat për rishikim që mund të depozitohen në vijim pa e patur shprehimisht të shprehur këtë kompetencë gjëkundi.
Kjo situatë passjell:
1. pamundësinë e subjekteve, Kuvendi i Shqipërisë përfshirë, të ankimojnë këtë vendim në GJK (pasi të gjithë anëtarët janë në kushtet e konfliktit pasi kanë dhënë një mendim/vendim);
2. vendimet e GJK mbi rishikimin, përveç se pa juridiksion nbi rishikimin nga vetë GJK, janë NUL pasi janë dhënë nga një Gjykatë jo e caktuar me ligj;
3. rikthimi në detyrë i kujtdo magjistrati që vjen si pasojë e zbatimit të vendimeve të GJK, me këto mangësi serioze, është NUL prej fillimit;
4. vendimet e mëtejshme të këtyre magjistratëve janë NUL pasi rikthimi i tyre në detyrë është NUL për mangësitë e cituara më sipër.
Mbrojtja e të drejtave dhe interesave të ligjshëm, që mund tu përkasin personave nga procesi i vetingut, duhet të jenë parashikuar në Kushtetutë apo ligj, në asnjë vend të botës së civilizuar Gjykata Kushtetuese nuk ulet e të përdoret kaq rëndomtë për të noterizuar kërkesat e një grupi personash.
Parlamenti shqiptar ka detyrimin kushtetues të veprojë me shpejtësi mbi këtë preçedent skandaloz, përpara se sistemi i drejtësisë të devijojë në probleme masive që do të prekin qytetarët e vendit dhe sigurinë juridike.
