Shtetëzimi i shërbimit jetik të hemodializës duket se e ka gjetur të papërgatitur shtetin shqiptar, i cili para 10 vitesh e kishte dhënë me koncesion dhe synonte që ta vijonte te e njëjta firmë, por kësaj herë në formën e tenderit. Ndryshimet në drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të OSHISH kanë sjellë amulli, ku Operatori që ka marrë në dorë “frenat” e disa shërbimeve mjekësore, po i kanalizon paratë te të njëjta duar.
Pothuajse çdo javë, OSHISH bën tendera për ushqime, për analiza e për reagentë, teksa fillimisht tenderat i bënte pa garë dhe tani i bën tepër formale, pasi marrin pjesë vetëm 1 operator, duke marrë pothuajse të gjithë fondin limit. Duket se, shprehja nga “shiu në breshër” gjen zbatim në gjithë këtë situatë, ku me apo pa dashje, i gjithë shërbimi po bëhet copa-copa, me probleme të theksuara në organizim, teksa të gjithë shpresojnë që të mos jetë fatale për pacientët.
Sipas dokumenteve që disponon Vox News, ditët e fundit OSHISH ka shpallur fituesin e një tjetër procedure, e cila është bërë me negocim, pra s’ka pasur garë. Bëhet fjalë për tenderin me objekt “shërbim analiza për procesin e hemodializës”, me një afat 180 ditë, me kusht ndërprerjen e kontratës pa pasoja për AK me administrimin e MK së lidhur nga procedura konkurruese.
Fondi limit ka qenë 46 milionë lekë, ose rreth 513 mijë euro. Firma që negocioi me shtetin është “Cambridge Clinical Laboratories” e cila ofroi për këtë shërbim 44.6 milionë lekë, ose shumë afër fondit limit.
Por kush qëndron pas kësaj firme?! Vox News hulumtoi dokumentet nga Qendra Kombëtare e Biznesit ku rezulton se 90 % të aksioneve i ka firma “Cambridge Pathology B.V.” shoqëri me përgjegjësi të kufizuar holandeze. Pronare e firmës rezulton Zoya Georgieva Gyurova, një shtetase bullgare dhe Nikita Vinogradov, një shtetas rus, lindur më 1991.
Emrat e dy personave të huaj janë lakuar edhe në procedura të tjera në Shqipëri, teksa dyshohet se pas tyre janë oligarkë në vendin tonë, të cilët kanë regjistruar kompani në vende të tjera për të humbur gjurmët. Duket se, paratë e hemodializës po shkojnë te disa persona që kanë krijuar një zinxhir kompanish të regjistruara jashtë Shqipërisë. Nëse ka vepër penale, këtë fakt e konfirmojnë vetëm institucionet ligjzbatuese.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016