
Vetëm pak ditë më parë u krijua përshtypja e një “furtune” në administratën shtetërore. Kryeministri Edi Rama u kërkoi ministrave dorëheqjet e drejtuesve të institucioneve në varësi dhe afati i raportuar për përfundimin e procesit ishte e hëna, 26 tetor.
Por, pasi kaloi afati, panorama është komplet ndryshe nga ajo që u paralajmërua.
Drejtorët kanë dorëzuar letra dorëheqjeje, por Vox News ka verifikuar se shumë prej tyre vazhdojnë të ushtrojnë funksionet, ndërsa qeveria ende nuk ka publikuar një listë përfundimtare se cilat dorëheqje janë pranuar, cilët drejtues janë larguar dhe nga kush do të zëvendësohen.
Vetë Rama dhe sinjalet e para se ky proces dorëheqjesh ishte një farsë, pasi tha se drejtuesit do të vazhdonin të qëndronin në detyrë, ndërsa më pas do t’i nënshtroheshin një procesi rivlerësimi të performancës.
Rasti më i qartë është ai i Ilir Binajt. Më 23 tetor u raportua se drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve kishte paraqitur dorëheqjen.
Por faqja zyrtare e Administratës Tatimore vazhdon ta paraqesë Binajn si Drejtor të Përgjithshëm të DPT-së.
E njëjta situatë shihet te Doganat. Besmir Beja ishte ndër tre drejtuesit për të cilët u raportua zyrtarisht dorëheqja më 23 tetor. Megjithatë, në faqen zyrtare të Administratës Doganore, Besmir Beja vazhdon të figurojë si Drejtor i Përgjithshëm i Doganave.
Edhe Viola Haxhiademi, një nga emrat e përfshirë në listën e drejtuesve të cilëve iu kërkua dorëheqja, vazhdon të figurojë në faqen zyrtare të KESH-it si Administratore e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, edhe pse është marrë e pandehur zyrtarisht nga SPAK.
Në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Marjeta Përlala vazhdon po ashtu të figurojë zyrtarisht si Drejtore e Përgjithshme.
Edhe drejtoresha e Burgjeve, Sadleva Bodo vijon të jetë në krye të institucionit, madje sot jo mori vendim për transferimin e Erion Veliajt nga burgu i Durrësit tek ai i Fierit.
Pra, të paktën në këto institucione, deri më 28 tetor, faqet zyrtare nuk tregojnë një ndryshim të drejtuesit.
Nëse një drejtor jep “dorëheqjen”, por vazhdon të punojë në të njëjtën zyrë, me të njëjtat kompetenca dhe në pritje që qeveria të vendosë nëse do ta mbajë apo jo, çfarë ndryshoi realisht?
Kjo e largon ndjeshëm situatën nga perceptimi fillestar i një “spastrimi” të menjëhershëm të administratës.
Më 22 tetor, Vox News raportoi se ministrat kishin mbledhur drejtuesit e institucioneve në varësi dhe se procesi i dorëheqjeve duhej të përfundonte deri më 26 tetor.
Por pas dorëzimit të letrave, nuk erdhi vala e menjëhershme e zëvendësimeve që mund të kuptohej nga termat “ultimatum”, “furtunë” apo “largim”.
Në vend të saj, tashmë flitet për rivlerësim performance dhe mundësi rikonfirmimi ose rehabilitimi.
Nëse pas “furtunës” shumica e tyre rikonfirmohen, atëherë pyetja është se çfarë ndryshoi realisht në administratë, përveç farsës me letra dorëheqjeje?!
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016