Njerëzit e mazhorancës kanë filluar ti japin lejet brenda njëri tjetrit, duke krijuar një “bandë” që megjithë protestat dhe ndryshimet e drejtorëve, sërish paratë apo prona publike shkon te të njëjta duar. Rasti i radhës vjen nga Bulqiza, ku me vendime tepër të diskutueshme të kryetares së bashkisë dhe të qeverisë, përfitues është familja e kryetarit të Njësisë Administrative Valias, në Kamëz.
Sipas dokumenteve që ka hulumtuar Vox News, qeveria ka miratuar lejen e ndërtimit për centralin gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike, me kapacitet 10 mega dhe veprave ndihmëse, me vendndodhje në Vlashaj, Njësia Administrativë Shupenzë, Bulqizë.
Në dokumentet që ka siguruar redaksia jonë bëhet me dije se subjekti zhvillues është firma “Gerti” shpk, me pronar Murat Danin. Ky i fundit është babai i Jeton Danit, ish-kandidat për deputet dhe aktualisht, kryetar i Njësisë Administrative Valias në Kamëz.

Pra, lejet dhe prona publike janë dhënë brenda mazhorancës, te njerëzit e saj! Po si e përfitoi pronën kjo familjes? Në të njëjta dokumente shkruhet se sipërfaqja prej 110.000 m² është shtetërore.
“Kjo tokë është pronë shtetërore për të cilën është nënshkruar kontrata me bashkinë Bulqizë me numër 2819 prot të datës 7 qershor 2023 me palë përfituese shoqërinë ‘Gerti’ sh.p.k. Territori ku zhvillohet parku ka kuotën mestarisht 720 metra mbi nivelin e detit”, thuhet në dokumente.
Sipas saj, në zonë ka një infrastrukturë rrugore mjaft të zhvilluar që lidhet me rrugën Bulqizë-Shupenzë, ndërkohë që ka edhe rrugë brenda territorit ku zhvillohet projekti dhe mund të shfrytëzohen gjatë ndërtimit dhe operimit të parkut fotovoltaik.
Muajt e fundit, kryetarja e Bashkisë së Bulizës, Festime Mjeshtri, është akuzuar nga banorë të zonës se po shet pronat për biznese të lidhura me mazhorancën. Në të gjithë territorin e bashkisë po ndërtohen parqe, disa në Martanesh e disa në njësitë e tjera, teksa nuk është bërë asnjë dëgjesë publike.
Duket se, Festimja ka hapur krahun në këto kohëra kur vëmendja është përqendruar te pushteti qendror, ndërkohë që ai lokal vijon të japë sipërfaqe të mëdha për parqe të tilla.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016