
Prej disa ditësh po qarkullon një thashethem, sipas së cilës drejtues të Top Channel do thirreshin sot (e hënën) në SPAK për lidhje me dosjen e Ergys Agasit.
Fillimisht thashethemi është hedhur nga një faqe memesh. Më pas, personi që administron faqen ka kontaktuar në telefon individë të ndryshëm, duke ua përcjellë të njëjtën histori dhe duke tentuar t’i japë asaj pamjen e një informacioni që “po qarkullon nga shumë burime brenda SPAK”.
Historia mund të kishte mbetur në nivelin e faqeve satirike, por jo. Gazetari Çim Peka, i cili parashikon çdo muaj rënien e Ramës, në një postim në faqen e tij në facebook, i dha zë këtij thashethemi. Ai shkroi se CEO i Top Channel “do të jetë sot (të hënën) në SPAK për lidhjet e Top Channel me Ergys Agasin”.
Sipas informacioneve të siguruara nga Vox News, fabrikimi i thashethemeve për “fletëthirrjet” nuk ka lindur nga SPAK.
Burimet tona konfirmojnë se ajo është ushqyer nga njerëz të lidhur me Belinda Ballukun, në një kohë kur Top Channel ka publikuar një seri materialesh kritike dhe investiguese për dosjen e saj.
Thashethemi nisi të merrte dhenë nëpër tavolinat e Tiranës, duke shtuar se Belinda Balluku bashkë me një prokuror të SPAK, po organizonin fletë-thirrjen për drejtuesen e Top Channel.
Sigurisht që ky thashethem nuk u përtyp nga një pjesë e mirë e gazetarëve, të cilët kurrësesi nuk mund të besojnë se Balluku me 4 dosje penale, ka fuqi të lëvizë fijet në SPAK. Gjithashtu nuk mund të mendohet që SPAK po futet nën presion nga një faqe satirike.
Shumë njerëz i vendosën vulën këtij thashethemi, kur shkroi në facebook gazetari Çim Peka, i cili mesa duket ra indirekt në grackën e Belinda Ballukut.
Peka caktoi sot, si ditën kur CEO i Top Channel do paraqitet në SPAK. Tani e hëna u mbyll, dhe CEO i Top Channel nuk ishte në SPAK, por madje festoi ditëlindjen me familjarët e saj.
Ky shkrim nuk është për të përgënjeshtruar Çim Pekën apo faqet satirike, por për të ndarë faktet nga thashethemet.
Ndërkohë, Top Channel vijon investigimet për dosjen Balluku. Vetëm në shtator dhe tetor publikoi dy emisione të Fiks Fare, ku flitej për pushtetin e Belinda Ballukut në institucione dhe për intimidimin e dëshmitarëve.
Dhe këto nuk janë thashetheme, janë fakte.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016