Qytetarët në protestë kurse SPAK aministon Belinda Ballukun, i mbyll hetimet pa kërkuar heqjen e imunitetit!

20 October 2026, 14:28Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Qytetarët në protestë kurse SPAK aministon Belinda Ballukun, i
Belinda Balluku

Ish Zv. Kryeministres Belinda Ballukut iu komunikuan sot nga SPAK akuzat përfundimtare për një dosje që tashmë nuk flet vetëm për tendera.

Prokuroria e Posaçme e akuzon për nëntë episode të shkeljes së barazisë në tendera, korrupsion pasiv, korrupsion të funksionarëve të lartë, dy raste të fshehjes apo deklarimit të rremë të pasurisë dhe pastrim të produkteve të veprës penale lidhur me dy pasuri të paluajtshme. 

Pra, pozita penale e ish-zëvendëskryeministres është sot dukshëm më e rëndë se në muajt e parë të hetimit. Por një gjë mungon, kërkesa e re e SPAK drejtuar Kuvendit për autorizimin e arrestimit të saj!

SPAK e ka kërkuar një herë arrestimin e Ballukut. Më 16 dhjetor 2025 Prokuroria iu drejtua Kuvendit për autorizim, por më 12 mars shumica parlamentare e rrëzoi kërkesën. Një nga argumentet e përdorura atëherë nga socialistët ishte se ndaj Ballukut nuk kishte akuzë për korrupsion. 

Sot ky argument nuk ekziston më. Vetë SPAK i ka komunikuar Ballukut jo një, por dy akuza për korrupsion pasiv, krahas pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

Atëherë lind pyetja:

Nëse SPAK mendonte se arrestimi ishte i nevojshëm kur dosja ishte më e lehtë, pse nuk po i drejtohet sërish Kuvendit tani që akuzat janë rënduar?

Kjo është padrejtësia më e madhe e SPAK dhe në veçanti për prokurorin e çështjes Dritan Prençi, i cili në këtë dosje nuk ka vendosur asnjë masë sigurie për dosjen Balluku, as për biznesmenët Pandeli Carapulin, Bashkim Ulajn, Igli Tare etj dhe as për zyrtarët e tjerë si Erald Elezi apo Gentian Gjylin.

I vetmi që po bën burgun për të gjithë këta është Evis Berberi, ish drejtor i ARRSH-së.

Ky standart i ri i Prokurorit Prençi dhe i SPAK, do të shënohet në kalendat e drejtësisë, të cilët kanë lëshuar masa sigurie “arrest me burg” për çdo person të mundshëm, përfshirë biznesmenë dhe gazetarë, ndërkohë amnistoi një nga personat më të përfolur për korrupsion, Belinda Ballukun. 

Sigurisht që Balluku gëzon prezumimin e pafajësisë, por nëse të gjithë qytetarët e thjeshtë do të trajtoheshin njësoj si ajo, atëherë askush nuk do të ngrinte pretendimin për heqjen e imunitetit të Ballukut.

Por kur Dritan Prençi godet fort njerëz të thjesht dhe fal Ballukun, ai duhet të japë një shpjegim para qytetarëve shqiptarë që po protestojnë çdo ditë përpara padrejtësisë: Çfarë marrëveshje ke bërë me Ballukun, zoti Prençi?! 

Sigurisht që prokurori Prençi do të argumentoj se hetimi vijon dhe kemi ndarë fraksion tjetër, por ky është një truk manipulativ për publikun, pasi hetimet për Ballukun tashmë janë mbyllur.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016


Video