
Vjedhjet në filialin e postës së Durrësit dyshohet se kanë vijuar prej vitesh nga një grup i mirëorganizuar me mbështetje politike dhe që drejtoreshën e arrestuar Elisabeta Mataj e përdorën si kamuflim për të mos zbuluar autorët e vërtetë të kësaj skeme.
Kështu është shprehur avokati i Elisabeta Matajt, Ilia Ilia sipas të cilit merita për zbulimin e këtij grupi i takon klientes së tij dhe natyrisht revizionit konkret të bërë nga drejtoria e përgjithshme e postës shqiptare.
Aktualisht dosja hetimore për vjedhjet e konstatuara në filialin e postës së Durrësi i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Posaçme SPAK, pasi ka dyshime se në të mund të jetë të implikuar persona që gëzojnë imunitet.
Avokati tha se vlera e vjedhjes ka kaluar 3.6 miliardë lekë dhe se skema ka funksionuar prej vitesh, me përfshirjen e disa personave me mbështetje politike. Ai akuzoi Prokurorinë e Durrësit se ka ndjekur rrjedhën e grupit kriminal dhe i bëri thirrje Kontrollit të Lartë të Shtetit të thellojë verifikimet për fondet e tërmetit, të cilat, sipas tij, kanë kaluar përmes Postës Shqiptare.
“Në dijeninë time, falë meritës së Etjen Xhafës që bëri revizionimin dhe bëri një punë të plotë, jo si revizioni i parë që e bëri për 3 muaj. Mbetet të shihet që revizionimi të shkojë deri në momentin që në Postën Shqiptare ka hyrë sistemi Eterna dhe të bëhet gjithë revizioni kontabël. I bëj thirrje KLSH-së që ka qenë sehirxhi deri tani.
KLSH ka kontrolluar Bashkinë Durrës dhe ka kontestuar shkelje. Të gjithë lekët e tërmetit kanë kaluar përmes Postës Shqiptare. Është ai grup kriminal që drejtonte postën dhe në momentin që Mataj erdhi, ajo është dëshira e tyre dhe e implikuan. Prokuroria e Durrësit ndoqi rrjedhën e grupit kriminal. Vjedhja ka shkuar mbi 3.6 miliardë dhe grupi ka punuar prej vitesh.
Janë shumë persona me SHK, me tatimet, të ardhurat e vjedhura dhe shumë të tjera. Grupi me mbështetje politike që drejtonte vjedhjet nuk u mjaftua vetëm me puçin që i bëri Elisabeta Matajt, duke e futur në burg, ku, për turp të të gjithëve, nëna e 6 kalamajve rrinte në burg dhe të tjerët rrinin në arrest shtëpie dhe përpunonin provat”.
Sipas tij edhe arrestimi i burrit të Elisabeta Matajt është pa prova dhe shpërdorim i pastër detyre nga ana e prokurorisë dhe Gjykatës së Durrësit.
“Arrestimi i burrit të saj është vepër penale, shpërdorim i pastër detyre nga ana e prokurorisë dhe Gjykatës së Durrësit. Nuk mund të arrestohet e procedohet një njeri pa pasur prova”.