Prokuroria e Posaçme ka regjistruar zyrtarisht procedim penal për dosjen e njohur si “Albanian Files”, ku kallëzimi prek projekte turistike në zona të mbrojtura dhe përmend kryeministrin Edi Rama, funksionarë të tjerë publikë dhe subjekte private. Por në këtë fazë, SPAK nuk ka regjistruar ende asnjë person nominalisht si të dyshuar apo nën hetim.
Pas interesimit të Citiziens.al, në një shkresë të datës 6 nëntor 2026, të firmosur nga drejtuesi i SPAK, Klodjan Braho, kallëzuesit janë njoftuar se procedimi ndodhet aktualisht “në hetim”.
Kallëzimi lidhet me projektet turistike në Baks-Rrjoll, Divjakë-Karavasta dhe Zvërnec dhe mbështetet ndër të tjera në materialet e “The Albanian Files” dhe në një bazë me 252 vendime të Këshillit Kombëtar të Territorit.
Sipas kallëzuesve, skema që duhet të hetohet nga SPAK është e përsëritur, ku përfshihen ndryshime ligjore, miratim i instrumenteve të posaçme të planifikimit dhe më pas dhënia e lejeve për projekte turistike përmes KKT-së, institucion i kryesuar nga kryeministri. Në kallëzim kërkohet verifikimi i dyshimeve për shpërdorim detyre, ndikim të paligjshëm, korrupsion të funksionarëve të lartë dhe grup të strukturuar kriminal. Këto janë pretendime të kallëzuesve dhe jo përfundime të SPAK.
Regjistrimi i procedimit penal do të thotë se SPAK ka vendosur të hetojë faktet e kallëzuara. Por deri më tani nuk rezulton që Edi Rama, apo ndonjë nga funksionarët dhe biznesmenët e përmendur në kallëzim, të jetë regjistruar nominalisht si person nën hetim apo si i pandehur.
Kjo e lë të hapur pyetjen kryesore, nëse do të kalojë “Albanian Files” nga një hetim mbi faktin te një hetim ndaj personave konkretë?
Në Prokurorinë e Posaçme ka shumë dosje të cilat janë pa emra personash, dhe kjo është një taktikë për të krijuar alibinë sikur po heton, por në fakt më shumë po arkivon.
Por ndërkohë kemi edhe rastin e Belinda Ballukut, kur SPAK avancon një hetim ndaj një zyrtari të nivelit të lartë, por përfundon në një dosje qesharake, me 35 të pandehur dhe pa asnjë masë sigurie.
Madje, dosja Balluku mund të konsiderohet si qoka më e madhe ndaj saj, pasi ajo prej më shumë se 7 vitesh kontrollon mbi 70% të buxhetit të shtetit dhe ku janë mbi 1 miliardë euro abuzime, por ndërkohë SPAK e heton për një vilë në jug të vendit.
Në rastin e “Albanian Files”, hetimi duhet të arrijë të identifikojë përgjegjësi penale konkrete dhe Prokuroria e Posaçme do të duhet të tregojë nëse është e gatshme të ndjekë zinxhirin e vendimmarrjes deri në nivelet më të larta.
Nëse, përkundrazi, procedimi përfundon pa persona të regjistruar dhe pa akuza, “Albanian Files” mund të përfundojë si një tjetër dosje e madhe publike që prodhoi shumë indicie dhe debat, por jo përgjegjësi penale.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016