
Kompania shtetërore naftënxjerrëse, Albpetrol, është kujtuar “pas pilafit” të reagojë për skandalin e kompanisë koncesionare “Bankers”, e cila dyshohet se ka xhiruar në mënyrë fiktive qindra miliona euro, të gjitha nën “hundën” e firmës shtetërore.
Një vit më parë u zhvillua një aksion nga Prokuroria e Fierit, ku në pranga ranë disa drejtorë dhe ish drejtorë të firmës private, ndërkohë që çuditërisht nuk u prek Albpetrol, ajo e cila duhet të monitorojë dhe të ketë kontakte të vazhdueshme me koncesionarin.
I gjithë aksioni u zhbë për disa muaj, teksa me masë sigurie janë shumë pak persona, ndërkohë që puna po vijon në fushën naftëmbajtëse Patos – Marinzë, ku çdo muaj xhirohen sërish dhjetëra miliona euro. Dhe, në gjithë këtë situatë, vetë Albpetrol vendos që të bllokojë aksionet e “Bankers”, duke u kujtuar se u ka detyrime edhe atyre.
Disa ditë më parë, në Qendrën Kombëtare të Biznesit është regjistruar një vendim i përmbaruesit privat Ermir Godaj, për të bllokuar aksionet e firmës koncesionare “Bankers”. Në vendim, sipas Vox News, shkruhet se bllokimi erdhi bazuar në urdhrat e ekzekutimit të datave 18 shtator 2025, 25 korrik 2025 dhe të datës 2 shtator 2025, të lëshuara nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
“Më datë 4 dhjetor 2025 janë depozituar pranë përmbaruesit gjyqësor privat Ermir Godaj kerkesat e kreditorit shoqërise ‘Albpetrol’ sh.a., së bashku me urdhrin e ekzekutimit, të lëshuar për titujt ekzekutiv, faturat tatimore me numër 1972 të vitit 2023, datë 5 maj 2023”, thuhet në këtë dokument.
Më tej shkruhet se, kemi edhe faturën me numër 3041 të vitit 2023, datë 26 korrik 2023 dhe të faturës 3039 të datës 26 korrik 2023, të lëshuara nga Shoqëria ‘Albpetrol’ sh.a, kundrejt shoqërisë “Bankers”. Dokumenti nuk ka vlera të detyrimit që koncesionari i ka firmës shtetërore, ndërsa shumë e dyshimtë mbetet fakti se përse janë lënë për një kohë të gjatë këto fatura në sirtarin e Albpetrol.
Vox News ka mësuar se, në dokument shkruhet vetëm “pagim shume”, por pa dhënë detaje të tjera. Nëse janë të vitit 2023, përse po ekzekutohen tani? Kush mban përgjegjësi për këtë dëm të madh ndaj shtetit shqiptar? A mos vallë që, krahas punonjësve të firmës private, të hetohen edhe zyrtarët shtetërorë?
Në të njëjtin dokument, përmbaruesi shkruan se “në kushtet kur ekzekutimi i titujve ekzekutiv me vendimin e përmbaruesit gjyqësor ka kaluar në ekzekutim të detyrueshëm dhe për ekzekutimin e tij duhet të kryhet bllokimi i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, si dhe kredi tek të tretë në pronësi të debitorit”.
Në fund, përmbaruesi urdhëron Qendrën Kombëtare të Biznesit, të vendosë masën e sekuestros konservative mbi pasurinë e debitorit. “Të vendosë sekuestro konservative mbi kapitalin që zotëron debitori, shoqëria ‘Bankers’, në mënyrë që të mos kryhet asnjë veprim tjetërsimi apo disponimi” thuhet në dokument.
Vendimi vjen pas hetimeve të Prokurorisë së Fierit, të muajit korrik 2025, ku u lëshuan 14 masa sigurie për punonjësit. Nga hetimi ka rezultuar se “Bankers” nga viti 2004 e deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka bërë që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016