
NATO ka autorizuar dislokimin e një avioni të paralajmërimit dhe kontrollit të hershëm ajror AWACS në Poloni, pas incidentit të së premtes, kur tri raketa ruse hynë në hapësirën ajrore polake dhe ranë në territorin e vendit anëtar të Aleancës.
Vendimi është marrë nga komandanti suprem i forcave aleate në Evropë (SACEUR), gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, dhe është konfirmuar zyrtarisht nga NATO, sipas agjencisë Reuters.
Dislokimi synon të forcojë aftësitë e mbikëqyrjes dhe paralajmërimit të hershëm në kufirin lindor të Aleancës, ndërsa incidenti ka shtuar shqetësimet për rrezikun e përhapjes së luftës në Ukrainë në territorin e vendeve të NATO-s.
Zëvendës ministri polak i Mbrojtjes, Paweł Zalewski, njoftoi vendimin pas një takimi të Aleancës në Bruksel.
“Një avion i paralajmërimit të hershëm AWACS do të vihet në dispozicion të Polonisë”, deklaroi ai.
Sipas Zalewskit, sistemi do t’u mundësojë forcave polake një pamje më të plotë të situatës operacionale, duke përmirësuar aftësinë për t’iu përgjigjur kërcënimeve të ngjashme.
NATO konfirmoi gjithashtu se komandanti suprem po shqyrton dislokimin e kapaciteteve të tjera ushtarake, në kuadër të vlerësimit të vazhdueshëm të qëndrimit mbrojtës dhe parandalues të Aleancës në Poloni dhe në rajone të tjera.
Vendimi pason incidentin e 20 nëntorit, kur tri raketa ruse të tipit Kh-101 ranë në territorin polak, sipas prokurorëve të vendit.
Autoritetet polake kanë nisur hetimet për objektet e gjetura pranë kufirit me Ukrainën, ndërsa ngjarja ka ngritur shqetësime të reja mbi sigurinë e hapësirës ajrore të NATO-s.
Avionët AWACS, të pajisur me radarë të fuqishëm të vendosur mbi trupin e avionit, përdoren për zbulimin dhe ndjekjen e objektivave ajrorë në distanca të mëdha, si dhe për koordinimin e operacioneve të forcave aleate.
Flota e NATO-s përfshin 14 avionë të sistemit të paralajmërimit dhe kontrollit ajror, të vendosur në bazën Geilenkirchen në Gjermani.
Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, këta avionë kanë kryer misione të vazhdueshme mbikëqyrjeje përgjatë krahut lindor të Aleancës.
Në rast konflikti, sistemet AWACS mund të krijojnë një pamje të përbashkët radarike për avionët luftarakë, anijet dhe qendrat e komandimit, si dhe të ndihmojnë në drejtimin e avionëve aleatë drejt objektivave.