
Platforma ukrainase Myrotvorets (“Paqebërësi”), e njohur gjerësisht si një “listë e zezë” publike e personave të cilësuar armiqësorë ndaj interesave kombëtare të Ukrainës, ka shkaktuar reagime të forta politike në Itali dhe në institucionet evropiane, pasi në të janë përfshirë zëvendëskryeministri italian Matteo Salvini dhe disa anëtarë të Parlamentit Evropian.
Zëvendëskryeministri Salvini, i cili zbuloi se emri i tij figuronte në këtë faqe interneti, e cilësoi çështjen si “jashtëzakonisht serioze” dhe kërkoi sqarime të menjëhershme nga autoritetet e Kievit, duke paralajmëruar se në të kundërt do të “ndjekë pasojat e duhura”.
Reagimi i tij pasoi atë të eurodeputetit të Lëvizjes Pesë Yje (M5S), Danilo Della Valle, i cili ishte i pari që denoncoi përfshirjen në listë dhe i kërkoi presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, të ndërhyjë pranë Kievit për heqjen e emrit të tij. Faqja e akuzon eurodeputetin italian për “pjesëmarrje në akte agresioni humanitar”, “manipulim informacioni” dhe “përhapje propagande”.
Ndërkohë, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Italisë, Antonio Tajani, duke riafirmuar mbështetjen e Romës për Ukrainën, theksoi se mbrojtja e lirisë së shprehjes, pluralizmit politik dhe prerogativave të zyrtarëve të zgjedhur përbëjnë parime themelore të demokracive evropiane. Përveç politikanëve italianë, në të njëjtën listë shfaqen edhe eurodeputetë nga vende të tjera anëtare të BE-së, përfshirë bullgarin Petar Volgin, qipriotin Fidias Panayiotou dhe polaken Ewa Zajączkowska-Hernik.
Aktivë që nga viti 2014, Myrotvorets paraqitet zyrtarisht si një organizatë joqeveritare private që studion shenjat e krimeve kundër sigurisë kombëtare dhe rendit ndërkombëtar. Megjithatë, në praktikë, ajo funksionon si një bazë e hapur të dhënash që publikon informacione personale dhe të ndjeshme, si numra telefoni, adresa banimi, profile në rrjetet sociale, si dhe emra të fëmijëve dhe të afërmve.
Edhe pse platforma deklaron pavarësi institucionale, burime të ndryshme ndërkombëtare të shtypit raportojnë për afërsi të saj me shërbimet ukrainase të sigurisë (SBU), një lidhje që mbetet zyrtarisht e diskutueshme.
Veprimtaria e kësaj platforme ka qenë objekt kritikash të përsëritura nga organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara në vitin 2019 dhe Human Rights Watch. Shqetësimet më të mëdha lidhen me raste ku publikimi i të dhënave në faqe është pasuar nga ngjarje tragjike, ndonëse pa një fajësi të provuar ligjërisht ndaj vetë portalit.
Shtypi ndërkombëtar ka cituar rastin e gazetarit dhe shkrimtarit ukrainas Oles Buzina, i vrarë në prill të vitit 2015 pak ditë pas publikimit të adresës së tij në këtë faqe, si dhe rastin e Andriy Portnov në vitin 2025 në Spanjë, ku hetuesit morën në shqyrtim praninë e emrit të tij në këtë bazë të dhënash. Po ashtu, gazetari italian Andrea Rocchelli, i vrarë gjatë një bombardimi në Donbas në vitin 2014, figuron në këtë platformë me shënimin “i likuiduar”.