Nga Torino në Stamboll, Zhegrova pranë një kapitulli të ri?

10 Nëntor 2026, 20:42Sport SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Nga Torino në Stamboll, Zhegrova pranë një kapitulli të ri?
Edon Zhegrova

Edon Zhegrova mund të jetë një nga emrat që do të dominojnë merkaton e janarit. Sulmuesi i Kosovës nuk ka arritur të sigurojë një rol të qëndrueshëm te Juventusi dhe një largim nga Torino po shihet si një mundësi për të rifilluar karrierën në një ambient të ri.

Një nga destinacionet e mundshme është Besiktasi, që e kishte vënë në shënjestër edhe gjatë merkatos së verës, por pa arritur ta transferonte. Këtë herë, klubi nga Stambolli mund të rikthehet në garë për shërbimet e futbollistit 27-vjeçar.

Sipas raportimit të “GettoSport”, Zhegrova është një nga alternativat e preferuara për krahun e djathtë të sulmit.

Statistikat e tij në këtë sezon tregojnë një futbollist që ka pasur vështirësi për të fituar një vend në formacion. Në tetë paraqitje në Serie A, ai është aktivizuar gjithmonë si zëvendësues, duke regjistruar 214 minuta, dy gola dhe dy asistime.

Megjithatë, largimi nuk është një çështje e thjeshtë. Zhegrova ka kontratë me Juventus-in deri në vitin 2030, çka do të thotë se çdo marrëveshje duhet të kalojë përmes negociatave mes dy klubeve.

Për Besiktas-in, afrimi i tij do të ishte një përforcim me potencial të madh. Shpejtësia, driblimet dhe aftësia për të krijuar epërsi në duelet një kundër një janë cilësi që mund t’i japin më shumë alternativa repartit ofensiv të skuadrës turke.

Për Zhegrovën, nga ana tjetër, një aventurë në Stamboll mund të përfaqësojë mundësinë për të rifituar rolin protagonist dhe vazhdimësinë që deri tani nuk e ka gjetur në Torino.


Video