
Kosova barazoi pa gola në Prishtinë përballë Izraelit, duke humbur një mundësi të artë për të marrë përkohësisht kreun e Grupit B3 në Ligën e Kombeve dhe për të synuar ngjitjen direkte në Ligën A.
Skuadra e drejtuar nga trajneri Franco Foda ishte më kërkuese gjatë gjithë takimit, duke iu afruar disa herë avantazhit, por pa arritur të gjejë rrugën e rrjetës.
Rastet më të rrezikshme për “Dardanët” u regjistruan me anë të Edon Zhegrovës, Milot Rashicës dhe sidomos Florian Kamberit, i cili u ndal vetëm nga traversa. Nga ana tjetër, edhe miqtë patën mundësitë e tyre, por portieri Shaibi reagoi saktë duke ndalur një gjuajtje të rrezikshme nga Gloukh.
Planet e Kosovës për të kërkuar fitoren deri në minutat e fundit u goditën rëndë nga dalja me karton të kuq e Hoxhës, pas marrjes së kartonit të dytë të verdhë në minutën e 67-të. Ky përjashtim e detyroi skuadrën vendase të tregohej më e kujdesshme në prapavijë gjatë minutave të mbetura, duke u pajtuar me rezultatin 0-0.
Me këtë barazim, Kosova regjistron ndeshjen e katërt zyrtare radhazi pa fitore nën drejtimin e Fodës. Ndeshja e fundit e grupit do ta vendosë Kosovën përballë Irlandës, një takim jetik për të ruajtur vendin e dytë që siguron qëndrimin në ligë dhe një vazo më të favorshme në kualifikueset e Kampionatit Europian.