
Forcat detare të Bashkimit Evropian kanë hipur më 13 nëntor në një anije të dyshuar si pjesë e flotës sekrete ruse në Detin Mesdhe. Këtë e ka njoftuar sot shefja e politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
“Operacioni bën pjesë në përpjekjet e BE-së për të goditur flotën sekrete ruse – rrjetin e anijeve që Moska përdor për të transportuar naftë duke shmangur sanksionet perëndimore. Tankeri i naftës së papërpunuar me emrin MV MIDAG po lundronte nën flamur të rremë dhe është ndaluar nga Operacioni IRINI i BE-së”, shkruan Kallas në X.
Operacioni IRINI është misioni i BE-së që monitoron trafikimin e armëve dhe naftës në Mesdhe dhe sipas faqes së gjurmimit të anijeve MarineTraffic, anija po lundronte nën flamurin e Zimbabvesë.
“BE-ja do të vazhdojë të godasë flotën sekrete ruse në det dhe përmes mjeteve diplomatike,” ka deklaruar Kallas.
Veprimi është kryer në bazë të Nenit 110 të Konventës së Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtën e Detit, i cili lejon inspektimin e anijeve në rrethana të caktuara.
Më 16 nëntor, ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të miratojnë lista të reja sanksionesh kundër Rusisë, që përfshijnë banka, blerës dhe kompani që mbështesin flotën sekrete, ka njoftuar Kallas.
BE-ja ka intensifikuar veprimet kundër anijeve të dyshuara si pjesë e këtij rrjeti. Në gusht, forcat e BE-së hipën në një tjetër tanker të dyshuar, MV Sun, po në Mesdhe, për të verifikuar flamurin e tij.
Flota sekrete ruse ka kontribuar ndjeshëm në aftësinë e Kremlinit për të financuar luftën kundër Ukrainës. Deri në maj 2026, regjistri i qeverisë ukrainase kishte identifikuar 1.404 anije si pjesë të kësaj flote.