Kandidat i "përbashkët" për Bashkinë e Tiranës, opozita e përçarë

16 Nëntor 2026, 20:20Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kandidat i "përbashkët" për Bashkinë e

Ilir Alimehmeti e ka bekimin e Sali Berishës për të kandiduar për Bashkinë e Tiranës.

Por doktori i ri synon që mbështetjen për garën e pranverës ta ketë përtej oborrit të PD-së. Në një intervistë për Top Channel, Ilir Alimehmeti zbulon formulën se si mund të zgjidhet kandidati i përbashkët i opozitës në kryeqytet.

“Unë jam shumë i qartë, duhet konsensus midis të gjitha forcave opozitare. Unë mendoj, besoj dhe shpresoj që këto forca të kenë atë ndërgjegje për t’u ulur bashkë, ta zgjidhin në mënyrën e tyre, me çfarë formati, me sondazhe, me primare të mëdha, me kutinë te sheshi dhe të votojë qyteti kë do të donte kandidat. Por të kishin një kandidat të përbashkët. Sepse nëse forcat opozitare arrijnë një kandidat të përbashkët, nuk ka asnjë lloj diskutimi për përfundimin zgjedhor”.

 Sfidës së Ilir Alimehmetit iu përgjigj negativisht i pari Arlind Qori, i cili i mbyll derën çdo bashkëpunimi me Sali Berishën dhe të përzgjedhurin e tij.

Lëvizja Bashkë do të masë sërish forcat e vetme në zgjedhjet lokale dhe kandidati i saj do të jetë vetë kryetari i kësaj partie.

“Rama dhe Berisha e kanë vendin në burg, siç thotë sheshi. Sali Berisha ka pacipësinë më të madhe që për dy-tre ditë njëherë të të shajë, më pas të mallkojë, më pas të thotë je i shitur te Edi Rama, të të nxjerrë gurët nga themeli dhe më pas të kërkojë bashkëpunim”.

Nëse propozohet si kandidat Ermal Hasimja, nuk thotë JO. Por, sipas nismëtarit të forumit për dialogun politik, para se të flitet për emra duhet të caktohen kriteret.

“Para se të shkojmë te emrat, të shohim dy kritere: emër konsensual dhe nga sheshi, dhe që kandidati të mund të përballet politikisht me qeverinë nga bashkia”.

Ofertën për të bashkëpunuar me Sali Berishën për zgjedhje e ka refuzuar edhe Agron Shehaj, ndërsa Adriatik Lapaj mbështeti publikisht kandidaturën e Florian Binajt, i cili shpalli ambicien për të qenë sërish kandidat i pavarur për Tiranën.


Video