Petro Koçi: Përjashtimi i Spiropalit dhe Ndrecës, një pretendim nul! Statuti duhet të jetë më i fortë se kryetari

16 Nëntor 2026, 11:57Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Petro Koçi: Përjashtimi i Spiropalit dhe Ndrecës, një
Petro Koçi

Ish-deputeti socialist Petro Koçi ka komentuar zhvillimet në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, duke evidentuar atë që i cilëson si lajmet më të mira dhe më të këqija të mbledhjes.

 Në një reagim në rrjetet sociale, Koçi vlerëson emërimin e Ervin Demos dhe Albana Koçiut në drejtimin e PS-së për Tiranën, ndërsa kritikon propozimin për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës nga forumet drejtuese të partisë.

Ai kërkon respektimin e Statutit, më shumë unitet mbi baza parimore dhe standarde të qarta në luftën kundër korrupsionit, duke komentuar gjithashtu protestat e opozitës dhe zhvillimet politike në vend.

Modestisht për Asamblenë:

 1. Lajmi më i mirë e ndofta i vetmi si i tillë ishte caktimi i Ervin Demos dhe Albana Koçiut në drejtimin e PS-së për bashkinë e kryeqytetit. Do të doja që ky akt të kurorëzohej nëpërmjet një procesi zgjedhor, por në gjykimin tim ata, në përbërjen aktuale të lidershipit të PS-së, përfaqësojnë zgjidhjen më të qëlluar në konsideratë të përvojës, zotësisë e mbi të gjitha të integritetit. Të dy kolegët, bashkë me Erion Braçen, përbëjnë ndofta kapitalin njerëzor më të arrirë, nga i cili do të përzgjidhet kandidatura përfundimtare për kryetar bashkie në garën e zgjedhjeve vendore që po troket.

 2. Lajmi më i keq ishte propozimi e pastaj pretendimi se Elisa Spiropali dhe Plarent Ndreca qenkan përjashtuar nga forumet e PSSH-së. Qasja disiplinore kërkon argumentim të plotë dhe të bazuar në Statutin e partisë. Parti e vërtetë është ajo në të cilën Statuti është më i fortë se kryetari apo sekretari i përgjithshëm. Përndryshe, koncepti institucional i partisë shkërmoqet. Është e vërtetë që Elisa ka dalë në mexhlis me disa qëndrime të konsideruara problematike nga një pjesë me peshë e opinionit socialist. Mund të kenë qenë ato qëndrime të motivuara nga iluzione apo emocione të shkaktuara nga tensionet shpesh panikndjellëse të protestave. Qëndrimet e saj mund të vijnë, në një pjesë të tyre, nga mënyra se si ajo u përndoq nga qeveria. Arsyet më mirë se unë i di vetë ajo. Unë thjesht arsyetoj me supozime.

Por propozimi për përjashtim ishte i tepërt dhe dëmprurës. PS-së nuk i intereson një unitet i bazuar te frika, por një unitet i bazuar në besim dhe bindje politike të vërtetë. Në fund të fundit, Elisa nuk është Marjana Koçeku, për përzgjedhjen e së cilës nuk mbajti askush përgjegjësi.

Rasti i Plarentit është edhe më i pakuptimtë. E kujtoj Plarentin në krye të Komisionit Hetimor për Koncesionet në Shëndetësi. Ishte gati heroik në përballimin e një procesi që vetëm parlamentar nuk mund të quhej dhe që bazohej në një platformë si ato të plenumeve të PP-së.

3. Përjashtimi nga forumet me rastin e së shtunës është një pretendim nul. Nëse propozimi nuk është votuar institucionalisht, ai nuk validohet dot. Statuti është shumë i qartë në kësi rastesh.

4. Në bazë të Statutit, deputeti është ex officio anëtar i Asamblesë Kombëtare. Statuti nuk ka përcaktim ndryshe. Nëse Elisa është anëtare e Grupit Socialist, ajo automatikisht është në Asamble. Nuk besoj se do të çmendej partia e ta përjashtonte nga grupi.

5. Do të ishte lajm i shkëlqyer akti i pritshëm i përjashtimit të ndonjë të korruptuari. Standardi i largimit, të paktën përkohësisht, të personave ndaj të cilëve ka filluar procesi penal duhet të jetë përherë i detyrueshëm për një parti që pretendon luftë ndaj korrupsionit. Kjo nuk do të thotë që hiqet dorë nga prezumimi i pafajësisë.

6. Partia Socialiste nuk ka nevojë që anëtarët e saj të ndahen në Facebook në grupe ku disa përbetohen për kryetarin e mallkojnë plangprishësit e të tjerë mallkojnë kryetarin e lëvdojnë kritikuesit. Jemi pak muaj para zgjedhjeve. Kërkohet qartësi dhe bashkim parimor forcash. Kritikat konstruktive i bëjnë mirë shëndetit politik të PS-së.

7. Protestat në fillimet e veta të qershorit ishin më shumë se simpatike. Ato i dhanë ngjyrë europiane vëmendjes dhe reagimit të publikut ndaj zhvillimeve politike. Por fenomenet e dhunës e të plaçkitjes që ndodhën kohët e fundit e rrëzuan qytetarinë fillestare dhe e komprometuan përkrahjen popullore. Pushteti ndërrohet me votë. Jo në tavolinë.

Ndërkohë, protestës i mungon vizioni dhe lidershipi. Vizioni dhe lidershipi berishian përbëjnë prapakthim dhe e fundosin qëllimin e supozuar progresist të protestës. Përmbysja revolucionare e synuar bie ndesh me përshpejtimin e procesit të integrimit europian. Protesta i ka arritur disa suksese: ulja e TVSH-së për ushqimet, heqja e taksës së qarkullimit nga karburanti, premtimi për rritje pagash për policinë etj. Këto duhen shoqëruar me hapa të tjerë, si p.sh. rritja e pagave për pedagogët, ndërtimi i ambienteve sportive për rininë e fëmijët në vend të kullave etj.


Video