Si e shpjegon guvernatori Gent Sejko rënien tronditëse të euros në Shqipëri?

19 Nëntor 2026, 18:32Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Si e shpjegon guvernatori Gent Sejko rënien tronditëse të euros

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, iu përgjigj interesit të bizneseve për rënien e euros, gjatë konferencës së sotme “E ardhmja e ekonomisë”, të organizuar nga revista Monitor.

“Së pari, dua të sqaroj se kursin e këmbimit e përcakton tregu dhe jo Banka e Shqipërisë. Ky është një keqkuptim që përsëritet vazhdimisht, madje edhe në diskutimet që kemi zhvilluar me bizneset e mëdha. Kursi i këmbimit përcaktohet nga kërkesa dhe oferta, ndërsa Banka e Shqipërisë publikon kursin mesatar”.

Guvernatori tha se vendi operon në një regjim të lirë të kursit të këmbimit. “Për këtë arsye kemi mbiçmim ose nënçmim të monedhës kombëtare, në varësi të zhvillimeve të tregut. Nëse do të kishim një regjim të fiksuar, siç kanë disa vende, apo një regjim të menaxhuar, siç është rasti i Maqedonisë së Veriut, nuk do të kishim të njëjtin ekspozim ndaj humbjeve apo fitimeve nga kursi i këmbimit. Por ky efekt do të transferohej te inflacioni dhe, rrjedhimisht, te çmimet më të larta.

Pra, ose ndikimin e goditjeve ekonomike, që vijnë nga jashtë apo nga brenda vendit, do ta përthithësh përmes kursit të këmbimit, të cilin e konsiderojmë si një amortizues automatik të goditjeve, ose do ta përthithësh përmes çmimeve. Nuk ekziston një zgjidhje perfekte teorike që të lejon të fiksosh kursin e këmbimit dhe njëkohësisht të mos kesh asnjë ndikim në çmime, tha Sejko.

Ai sqaroi se Banka Qendrore nuk e përcakton kursin e këmbimit. “Natyrisht, ne ndërhyjmë në tregun valutor, por këtë e bëjmë në funksion të objektivave që na përcakton ligji: stabilitetit të çmimeve, pra kontrollit të inflacionit, dhe stabilitetit financiar, që nënkupton sigurinë dhe qëndrueshmërinë e bankave”.

“Synimi është që niveli i kursit të këmbimit dhe luhatjet që lidhen me mbiçmimin apo nënçmimin e monedhës vendase ndaj euros të mos ndikojnë negativisht në kapitalin e bankave dhe, në mënyrë indirekte, edhe te bizneset. Ndërhyrjet tona synojnë të frenojnë spekulimet dhe të ngadalësojnë shpejtësinë e mbiçmimit ose të nënçmimit. Kjo u jep bizneseve dhe aktorëve të tjerë ekonomikë kohë të përshtaten me ecurinë e kursit, të mbyllin pozicionet e tyre valutore dhe të lidhin kontrata forward apo swap. Përndryshe, luhatjet e mëdha të kursit, si në rritje ashtu edhe në rënie, mund të shkaktojnë goditje dhe humbje, siç ndodh edhe në vende të tjera”.

Guvernatori Sejko tha se kjo tendencë e kursit të këmbimit në Shqipëri lidhet me prurjet e mëdha të euros. “Për këtë çështje ka shpesh debate, dhe dua të jemi realistë dhe të hapur, veçanërisht kur flasim për paratë me origjinë të paligjshme. Si Bankë Qendrore, ne nuk mund t’i matim drejtpërdrejt këto flukse, pasi bilanci i pagesave na jep të dhëna të tjera. Ato nuk rezultojnë të pastrohen përmes sistemit bankar. Mund të ketë elemente të veçuara, por në përgjithësi sistemi bankar është i mirëkontrolluar dhe i mbikëqyrur, jo vetëm nga institucionet shqiptare, por edhe nga ato ndërkombëtare.

Gjithashtu, nuk është roli i Bankës Qendrore të merret me të gjitha këto çështje. Ka shumë agjenci të tjera ligjzbatuese që kanë përgjegjësinë të ndalojnë këto flukse. Kompetencat e Bankës Qendrore janë të përcaktuara qartë me ligj”.

Z.Sejko tha se prej disa vitesh ka shpjeguar rolin e Bankës, arsyet e forcimit të kursit të këmbimit dhe të gjithë faktorët që ndikojnë në këtë proces. “Siç thuhet, përsëritja është nëna e dijes, por edhe babai i mërzitjes. Megjithatë, është e rëndësishme që të gjithë të jemi të qartë për ndarjen e përgjegjësive: kërkojini Cezarit atë që i takon Cezarit”.

“Në një regjim të lirë të kursit të këmbimit, nëse një ekonomi ka një rritje prej 4% në vit, e cila mund të jetë edhe më e lartë, dhe kjo rritje shoqërohet me formalizim dhe me hyrje të mëdha valutore nga burime e kanale të ndryshme, natyrisht që monedha vendase do të mbiçmohet.

Këtë pyetje ma kanë bërë vazhdimisht: si do të sillet kursi i këmbimit? Më është drejtuar në Parlament, në forume biznesi dhe në shumë diskutime të tjera. Por unë nuk e di se si do të lëvizë kursi, ashtu siç nuk mund ta dijë askush me siguri. Nëse dikush do ta dinte paraprakisht ecurinë e tij, do të bëhej miliarder, duke vepruar si biznesmen apo analist dhe jo si rregullator”.

Megjithatë, një gjë është e sigurt, tha guvernatori, bazuar në parimet dhe fundamentet teorike: nëse ekonomia do të vijojë të rritet në mënyrë të qëndrueshme dhe afatgjatë me këto ritme, përmes hyrjeve valutore, që në rastin konkret janë kryesisht në euro, monedha vendase do të ketë prirje të mbiçmohet, pasi oferta e valutës do të jetë më e madhe.

“Unë e kuptoj shumë mirë shqetësimin e bizneseve. Është një shqetësim serioz dhe real, pasi humbjet dhe goditjet që sjell kursi i këmbimit janë konkrete, veçanërisht për eksportuesit, por edhe për bizneset e tjera. Megjithatë, Banka e Shqipërisë nuk mund ta zgjidhë e vetme këtë problem. Në fund të fundit, Banka Qendrore ka si objektiv stabilitetin e çmimeve dhe jo mbështetjen e drejtpërdrejtë të sektorëve të veçantë të ekonomisë.

Kursi i këmbimit na ndihmon të frenojmë inflacionin, ndërsa janë politikat fiskale ato që mund të mbështesin sektorë dhe industri të caktuara. Nuk është roli i Bankës Qendrore, në Shqipëri apo në ndonjë vend tjetër, të ndërhyjë për të favorizuar industri apo sektorë të veçantë.

Roli i Bankës Qendrore është të garantojë stabilitetin financiar, të sigurojë që bankat të jenë të qëndrueshme dhe të vijojnë të kreditojnë ekonominë. Një tjetër objektiv është ruajtja e stabilitetit të çmimeve.

Shpesh ngrihet edhe një pyetje tjetër: nëse kursi i këmbimit është i mbiçmuar, pse vazhdojnë të rriten çmimet? Por nuk është e saktë të arrihet në përfundimin se mbiçmimi i monedhës duhet të sjellë ulje të çmimeve. Çmimet mund të vijojnë të rriten, por do të ishin edhe më të larta nëse do të ndodhte e kundërta, pra nëse monedha kombëtare do të zhvlerësohej. Ne përpiqemi të mbajmë inflacionin në një nivel të kontrolluar, por ka edhe instrumente të tjera për të frenuar rritjen e çmimeve.

Pra, shqetësimi i bizneseve është plotësisht i drejtë dhe ne jemi të gatshëm të diskutojmë për të. Megjithatë, ndërhyrjet që kemi bërë si Bankë Qendrore nuk kanë pasur si qëllim të ndihmojnë sektorë të caktuar të ekonomisë. Ato janë kryer në nivel makroekonomik, për të stabilizuar tregjet, për të ndikuar në nivelin e inflacionit dhe për të ruajtur stabilitetin financiar.

Pavarësisht se nuk ka qenë ky qëllimi ynë, këto ndërhyrje kanë ngadalësuar edhe shpejtësinë e mbiçmimit të kursit të këmbimit. Në mënyrë indirekte, kjo u ka dhënë bizneseve më shumë kohë të përshtaten me zhvillimet e kursit, përmes kontratave apo ndryshimeve në mënyrën se si menaxhojnë aktivitetin e tyre.

Nëse do të vijojmë të kemi këto ritme rritjeje ekonomike, teorikisht prirja për mbiçmimin e monedhës vendase mund të vazhdojë. Por kjo nuk do të thotë se mund të parashikojmë me siguri se si do të sillet kursi në të ardhmen.

Dua të theksoj se ky është një debat i vazhdueshëm, por Banka Qendrore nuk mund të bëjë më shumë sesa ia lejon roli i saj ligjor dhe institucional. Mund ta diskutojmë vazhdimisht këtë çështje dhe do të vazhdojmë të japim të njëjtat shpjegime, por nuk mund të ndryshojmë kompetencat tona. Shpeshherë, për këtë arsye, krijohen edhe keqkuptime.

Në fakt, ekziston edhe një problem më i gjerë që lidhet me nivelin e edukimit financiar. Shpesh nuk kuptohen siç duhet rolet dhe funksionet e institucioneve të ndryshme. Përmendet fjala para dhe menjëherë drejtohemi te banka. Por jo çdo çështje që lidhet me paranë duhet të adresohet te Banka Qendrore. Ka shumë institucione të tjera që kanë përgjegjësinë dhe kompetencat përkatëse për të zgjidhur probleme të caktuara.

Ne bashkërendojmë përpjekjet me institucionet e tjera dhe ndërhyjmë brenda mandatit tonë. Edhe në mënyrë indirekte, përmes ndërhyrjeve tona, kemi ndihmuar bizneset, pavarësisht se ky nuk ka qenë objektivi i drejtpërdrejtë. Ndërhyrjet kanë ndihmuar gjithashtu në kufizimin e mbiçmimit, pasi pa to kursi i këmbimit mund të ishte forcuar edhe më shumë.

Megjithatë, bizneset duhet të përshtatin edhe modelin e tyre të aktivitetit. Nuk mund të përqendrohemi vetëm te kursi i këmbimit. Duhet të rishikohet i gjithë modeli i biznesit, të investohet në teknologji dhe të analizohet e gjithë struktura financiare, përfshirë llogarinë e humbjeve dhe fitimeve (profit and loss), strategjitë e biznesit, fokusin dhe mënyrat e kompensimit të humbjeve.

Po ashtu, bizneset duhet të përdorin më shumë instrumentet e menaxhimit të riskut valutor, si kontratat forward dhe swap, si dhe kontratat e tjera për mbrojtjen nga luhatjet e kursit të këmbimit, të cilat aktualisht nuk përdoren sa duhet. Është e nevojshme të zhvillohen edhe negociata me bankat për të reduktuar ekspozimin ndaj riskut.

Integrimi europian dhe rritja ekonomike sjellin edhe risqe. Ashtu si me kursin e këmbimit, bizneset do të përballen edhe me sfida të rëndësishme të konkurrueshmërisë. Edhe humbja dhe largimi i fuqisë punëtore, pra emigrimi i njerëzve, janë sfida të ngjashme me ato që sjell kursi i këmbimit.

Kur hapesh ndaj tregjeve, në disa drejtime fiton dhe në të tjera humbet. Ajo që kërkohet është përshtatja e vazhdueshme e biznesit me kushtet e reja të konkurrencës”, përfundoi guvernatori.


Video