Kujt i shërben heqja e tarifës së pasagjerit në Rinas?

7 May 2022, 19:01Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kujt i shërben heqja e tarifës së pasagjerit në Rinas?

Qeveria vendosi heqjen e tarifës së kalimit të kufirit me avion me argumentimin se ajo do të ndikojë të çmimet e biletave dhe rrisë trafikun në aeroportin e Rinasit, duke u kursyer gjithashtu para qytetarëve në xhep.

Tarifa në fuqi ishte 10 euro, që pasagjerët e paguanin në momentin e blerjes së biletës. Por, më shumë se sa për pasagjerët, tarifa në fjalë është një favorizim tjetër që i bëhet kompanisë ‘Kastrati’, e cila ka koncesionin e Aeroportit.

Pse? Pavarësisht se tarifa paguhej nga qytetarët në momentin e blerjes së biletës, në arkën e shtetit ajo derdhej nga koncesionari “Tirana International Airport” e zotëruar nga kompania e Shefqet Kastratit.

Me heqjen e kësaj tarife, i pari që do të përfitojë është Kastrati dhe më pas ndoshta edhe qytetarët përmes uljes së çmimit të biletave. Problemi në aeroportin e vetëm ndërkombëtar të Shqipërisë ndër vite nuk kanë qenë tarifat se sa abuzimi me pozitat e monopolit në vendosjen dhe caktimin e çmimit të biletave.

Nëse krahasohet me vendet e rajonit tre tarifat që aplikohen në aeroporte diferenca mes Rinasit dhe aeroporteve të tjera është e vogël, thuajse e papërfillshme. Si shembull, Shqipëria aplikon tarifë sigurie 4 euro, tarife pasagjeri 10 euro dhe tarifë e kalimit të kufirit me avion prej 10 eurosh. Në total, këto tarifa janë 24 euro që shtohen mbi çmimin e biletës.

Në Shkup aplikohet një tarifë prej 18 eurosh, 21 euro në Beograd, 18 euro në Sarajevë, 18.5 euro në Prishtinë, 16.7 euro në Podgoricë, 16 euro në Dubrovnik dhe 14.6 euro në Lubjanë. Kjo do të thotë se me vendimin për heqjen e tarifës së kalimit të kufirit me avion Rinasi do të bëhet aeroporti me tarifat më të ulta në rajon me vetëm 14 euro.

Kujt i shërben heqja e tarifës së pasagjerit në Rinas?

Por pse kjo mund të mos shoqërohet me ulje të ndjeshme të çmimit të biletave për qytetarët? Sepse nëse shihet tarifat e para këtij vendimi, diferenca me aeroportet e Shkupit dhe të Beogradit janë fare të vogla dhe nuk justifikojnë çmimet e majme të biletave që janë aplikuar në Rinas në krahasim me këto dy aeroporte për destinacione të njëjta.

Po, është e vërtetë që ka një ulje të çmimit të biletave, por ulja është bërë për shkak të shtimit të kompanive ajrore, futjes së linjave ‘loë cost’ dhe ajo ka ardhur para se qeveria të hiqte tarifën prej 10 eurosh për pasagjer.

Megjithatë, sërish shqiptarët vijojnë të blejnë edhe sot biletat e udhëtimeve me avion më shtrenjtë se qytetarët e tjerë të vendeve të rajonit, edhe pse vetëm diferenca e tarifës së kalimit të kufirit nuk e justifikon këtë diferencë në çmim.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video