Kriminaliteti u rrit në 2021-n, dhuna në familje e droga veprat penale më të shpeshta

5 May 2022, 18:33Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kriminaliteti u rrit në 2021-n, dhuna në familje e droga veprat penale

Kriminaliteti në Shqipëri u rrit me 7.5 për qind në 2021 në krahasim me 2020, ku rritjen më të fortë e patën tre vepra penale.

Dhuna në familje, veprat penale në fushën e lëndëve narkotike dhe korrupsioni janë tre krimet që kanë pësuar rritjen më të madhe.

Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, dhuna në familje u rrit me 8.4 për qind. Sociologët e kanë shpjeguar këtë fenomen si pasojë e pandemisë, karantinës dhe e krizës financiare që ka goditur familjet me të ardhura të pakta, ose të mesme më fort.

Vepra penale në fushën e lëndëve narkotike kanë pësuar rritjen më të madhe. Nga shifrat e publikuara nga INSTAT ato janë rritur me 47.6 për qind.

Veprat penale të korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës kanë pësuar gjithashtu rritje të fortë me 45.7 për qind.

Shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor janë veprat e tjera që kanë pësuar rritje me 10 për qind. Ulje kanë pësuar krimet seksuale me 6.8 për qind, vjedhja me 10 për qind dhe krimet me dashje kundër shëndeti me 13.7 për qind.

Rritje me 4 për qind në krahasim me 2020 ka pasur edhe numri i personave të regjistruar si autorë të këtyre veprave penale, duke shkuar në rreth 40 mijë brenda një viti.

Sa i përket moshës së autorëve të veprave penale, 33 për qind e tyre janë nga 30 deri në 44 vjeç, duke qenë grupi më i madh sipas këtij kategorizimi, ndjekur më pas nga mosha 18 deri në 29 vjeç.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video