Investitorët strategjikë, në Kuvend një kërkesë për transparencë

4 May 2022, 21:19Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Investitorët strategjikë, në Kuvend një kërkesë

Voxnews.al ka denoncuar së fundim tre vendime të Komitetit të Investimeve Strategjike, që u ka dhënë pasuri publike në bregdet familjarëve të pushtetarëve, ose biznesmenëve dhe personave të lidhur me pushtetin.

Denoncimi i parë lidhej me shpalljen investitor strategjik të kompanisë së Artan Gaçit, bashkëshorti i ministres së Jashtme, Olta Xhaçka. Denoncimi i dytë lidhej me shpalljen investitor strategjik të kompanisë së aktorit të humorit, Gazment Paja dhe i treti i biznesmenit Shpëtim Shijaku.

Secili nga investitorët strategjikë në fjalë përfitojnë prona shtetërore me vlera miliona euro për vetëm 1 euro për 30 vitet e ardhshme, nën maskimin e investimeve të mëdha, krijimit të vendeve të punës dhe kontributeve në rritjen ekonomike të vendit.

E vërteta është se këto investime janë në pjesën dërrmuese të tyre vila pushimi për të pasurit dhe hotele luksoze, duke mos sjellë ndonjë kontribut të madh ekonomik e social për komunitetet përkatëse dhe vendin në përgjithësi.

E në vazhdën e këtyre denoncimeve, një grup i deputetëve të Partisë Demokratike kanë ndërmarrë një nismë në Kuvend për të ngritur një komision parlamentar të posaçëm procedurat e dhënies së statusit të investitorit strategjik.

Komisioni nuk propozohet që të ketë statusin e një komisioni hetimor dhe daljen me një raport detyrues për votim ose jo në seancë plenare. Por, kërkesa synon që të bëhet transparencë në lidhje me dhënien e statusit të investitorit strategjik rast pas rasti, sidomos në tre vitet e fundit.

Mes firmëtareve të ngritjes së këtij komisioni është edhe deputetja Jorida Tabaku. Ajo thotë se arsyeja që shtyu opozitën në këtë kërkesë lidhe me refuzimet e kërkesave për transparencë të vendimeve të Komitetit të Investimeve Strategjike. Tabaku tha se nuk u kërkua komision hetimor për shkak të vonesave që shkaktojnë procedurat parlamentare në ngritjen e tij.

Objekti i komisionit propozohet që të jetë shqyrtimi i të gjitha praktikave të deritanishme të ndjekura nga Komiteti i Investimeve Strategjike; hartimi i ndryshimeve ligjore në ligjin nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike në Republikën e Shqipërisë” dhe shqyrtimi dhe miratimi i projektligjit “Për investimet”.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video