Andrea Papandreu dominoi politikën greke për më shumë se dy dekada pas juntës së kolonelëve. Gjatë periudhës në qeverisje, raportet e tij me Uashingtonin ishin dashuri dhe urrejtje.
Papandreu mori ftesë vetëm në vitin 1994 për të vizituar Shtëpinë e Bardhë, në atë kohë nga Presidenti Bill Clinton. Ftesa mbërriti pas 15 vitesh në pushtet dhe një oratorie të ashpër të tij ndaj SHBA, të cilën nuk e fali asnjëherë për atë që e quante mbështetje të Turqisë dhe të juntës së kolonelëve.
Operacioni në zemër të hapur në vitin 1988 e kishte lënë të dobësuar Papandreu, megjithëse nuk e pengoi atë të hynte dhe të fitonte zgjedhjet për herë të tretë në 1993.
Por gjatë vitit 1995, përkeqësimi i gjendjes shëndetësore e pengoi atë të kryente detyrat normale të qeverisë. Në janar të 1996-s, PASOK emëroi Kostas Simitis si Kryeministër dhe zPapandreu nuk ishte parë në publik që nga lirimi i tij nga spitali më 21 mars pas një qëndrimi katër mujor. Tre muaj më vonë, ai do të ndërronte jetë.
Pak politikanë të tjerë në Greqinë moderne kanë frymëzuar aq shumë dashuri dhe urrejtje në shtëpi dhe aq shumë çoroditje e zemërim te aleatët. Papandreu magjepsi grekët me oratorinë e tij bindëse dhe mënyrat e tij të paparashikueshme dhe të paqëndrueshme dhe megjithëse njihej si njeri miqësor dhe i afrueshëm, ai mbeti deri në fund i vështirë për t’u kuptuar edhe nga miqtë e vet.
Papandreu ishte i suksesshëm në shtëpi, sepse ai i mëshoi dëshirës së grekëve për ndryshim dhe retorika e sovranitetit dhe dinjitetit ringjalli nacionalizmin grek. Por, qëndrimet e dyzuara zemëruan aleatët e Greqisë.
Jashtë vendit, aleatët perëndimorë të Greqisë u hutuan ose u zemëruan pasi socialisti jodoktrinar mori pozicione diametralisht të kundërta me ta për çështje që varionin nga agresioni serb në Bosnje e deri te roli i NATO-s në Mesdhe.
Mbi të gjitha, Shtetet e Bashkuara patën ndikim të madh si në jetën, ashtu edhe në mënyrën që ai zgjodhi për të qeverisur. SHBA ishte vendi ku ai kishte shërbyer në marinë, kishte mbaruar gjimnazin, kishte punuar, ishte martuar dy herë dhe kishte katër fëmijë; ishte burimi i tij i financimit dhe kombi që ai fillimisht e admiroi dhe më vonë e kritikoi.
Thelbi i politikës së tij të jashtme ishte t'i jepte fund statusit të Greqisë si "shtet klient i Perëndimit". Si rezultat, ai refuzoi të dënonte ndërhyrjen sovjetike në Afganistan, bëri fushatë kundër bazave ushtarake amerikane në Greqi dhe kërcënoi në mënyra të ndryshme se do të tërhiqej nga NATO, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, megjithëse pranoi fondet bujare të Bashkimit.
Ai bllokoi kreditë europiane për Turqinë, armikun e Greqisë. Ndërsa të tjerët shmangën Libinë dhe Jugosllavinë, ai përmirësoi lidhjet e Greqisë me këto vende. Në luftën e Bosnjës ai mbështeti Serbinë, një aleate të vjetër dhe kundërshtoi sanksionet ndërkombëtare kundër Serbisë. Ai hezitonte të dënonte mizoritë serbe, edhe përballë provave të shumta.
Papandreu lulëzoi duke qenë i kundërt. Ai e përshkroi këtë si "diplomaci me litar të ngushtë". Deri në rënien e Bashkimit Sovjetik, ai ishte veçanërisht i aftë në përfitimin dhe nxjerrjen e fondeve nga qeveritë perëndimore në sasi të mëdha, vetëm sepse donin që të forconin sistemin kapitalist të Greqisë dhe të mbronin krahun juglindor të Europës në Ballkanin komunist. Pavarësisht polemikave të tij, ai mbeti properëndimor.
Një traditë familjare e politikës populiste
Djali i vetëm i Sophia dhe George Papandreut, Andrea George Papandreu u lind më 5 shkurt 1919, në Kios, ndërsa babai i tij shërbeu në atë kohë si guvernator i përgjithshëm i Ishujve të Egjeut.
Kur Andrea ishte 5 vjeç, prindërit e tij u divorcuan dhe ai dhe nëna e tij u transferuan në Athinë. Por ai qëndroi në kontakt me të atin, i cili u ngrit në politikë dhe u bë një lider i fuqishëm dhe popullor, duke u bërë Kryeministër.
Në vitin 1937, kur Andreas hyri në Fakultetin Juridik të Universitetit të Athinës, Greqia drejtohej nga një diktator i krahut të djathtë, Gjenerali Joanis Metaksas dhe babai i tij dhe liberalë të tjerë u dëbuan në ishullin Andros. Andrea, në atë kohë një majtist ekstrem, iu bashkua një grupi rezistence që shpërndante gazeta dhe pamflete të fshehta, për të cilat u arrestua dhe u torturua.
Pak para se trupat e Musolinit të hynin në Greqi, Andrea Papandreu u nis për në Nju Jork, ku mbërriti në maj 1940 me 14 dollarë në xhep. Ai u regjistrua në Universitetin e Kolumbisë dhe filloi punë të rëndomta për të mbajtur veten. Ai u martua me një greko-amerikane, Christine Rassias, në vitin 1941 dhe fitoi një doktoraturë në ekonomi në Universitetin e Harvardit në vitin 1943. Martesa përfundoi në divorc një dekadë më vonë.
Pasi u bë shtetas amerikan, Papandreu iu bashkua Marinës për dy vjet shërbim gjatë luftës, shumë prej të cilave e kaloi si nëpunës në Spitalin Detar Bethesda. Kur mbaroi Lufta e Dytë Botërore, ai filloi karrierën e tij si pedagog i ekonomisë, fillimisht në Harvard, pastaj në Universitetin e Minesotës dhe Universitetin Northëestern. Ai përfundimisht u bë profesor dhe kryetar i departamentit të ekonomisë në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley, derisa dha dorëheqjen në 1963.
Me para amerikane Papandreu u kthye në Greqi. I mbështetur nga grantet e Guggenheim dhe Fulbright, ai kaloi vitin 1959 duke studiuar ekonominë greke. Ai shkoi përsëri në Athinë në 1961 për të ngritur Qendrën e re për Kërkime Ekonomike, këtë herë me financim nga Fondacionet Ford dhe Rockefeller. Ai hoqi dorë nga nënshtetësia e tij amerikane në vitin 1964 për të kandiduar për Parlamentin grek nën kujdesin e babait të tij, që në atë kohë ishte kryeministër. Më vonë atë vit babai i tij e emëroi zëvendësministër të Ekonomisë.
Por, Mbreti Konstandin, i cili nuk kishte besim tek Papandreu, shkarkoi kryeministrin dhe kabinetin e tij. Periudha e paqëndrueshmërisë që pasoi çoi në një grusht shteti ushtarak të krahut të djathtë në 1967, dhe të dy Papandreu u arrestuan. Andrea u mbajt në izolim për tetë muaj.
Përsëri Shtetet e Bashkuara luajtën rolin e vet. Presioni nga amerikanët me ndikim, duke përfshirë ekonomistin John Kenneth Galbraith, bëri që junta ushtarake të lironte Andreas Papandreu dhe të burgosur të tjerë politikë në 1967. Por nga mërgimi, fillimisht në Suedi, pastaj në Kanada Papandreu organizoi një koalicion grupesh opozitare dhe denoncoi Qeverinë Amerikane për “bashkëfajësi” në atë grusht shteti. Ai mbeti i bindur se Uashingtoni mbështeti në heshtje diktaturën ushtarake të viteve 1968-74.
Në një artikull të vitit 1972 në The Neë York Times, ai shkroi se Shtetet e Bashkuara caktonin kryeministrat, ndërhynin në zgjedhje dhe në promovime ushtarake dhe "kontrollonin Shërbimin Informativ Grek".
Në vitin 1974, kur Greqia u traumatizua nga pushtimi i Turqisë në Qipron veriore, ai dhe shumë të tjerë u bindën edhe një herë se Uashingtoni dinte për planet ushtarake turke dhe mund t'i kishte ndaluar ato. Besimi se në përgjithësi Uashingtoni favorizoi Turqinë mbi Greqinë në grindjet e tyre të përhershme, ushqeu më shumë anti-amerikanizëm.
Partia që ai themeloi në 1974, Lëvizja Socialiste Panhelene, ose PASOK, ndryshoi peizazhin politik të Greqisë. Ajo e solli atë, dhe të majtën, në pushtet në vitin 1981. Duke e përshkruar veten si një "marksist jodogmatik", ai shpejt prezantoi reforma sociale nga të cilat përfitonin grupet me të ardhura të ulëta, promovoi këshillat e punëtorëve dhe kooperativat e fermerëve, hoqi censurën, uli të drejtën e votës deri në 18 vjeç dhe i nxitur nga gruaja e tij amerikane, ai solli barazi ligjore për gratë.
Sapo mori detyrën pas zgjedhjeve të vitit 1981, Papandreu tërboi Perëndimin duke hapur një ambasadë greke në Kubë dhe duke i dhënë status diplomatik Organizatës për Çlirimin e Palestinës.
Pas gjesteve të tij neutrale, politika e jashtme e Papandreut ishte e kujdesshme, pothuajse konservatore. Ai e mbajti Greqinë në NATO, por nuk pranoi të merrte pjesë në disa stërvitje. Ai ruajti anëtarësimin e Greqisë në Bashkimin Europian, duke përfituar kështu subvencione të rëndësishme bujqësore që ndihmuan në sigurimin e rizgjedhjes së tij në 1985. Ai gjithashtu i dha Uashingtonit atë që nuk kishte mundur të merrte nga paraardhësi i tij i krahut të djathtë: një marrëveshje pesëvjeçare të rinovueshme për mbajtjen e katër bazave ushtarake dhe një numër instalimesh më të vogla në tokën greke.
Në shtëpi, shumë grekë e duartrokitën sepse ai vendosi martesën civile dhe legalizoi divorcin dhe abortin. Por, politika e tij ekonomike mbeti plot kontradikta dhe kritikët thanë se ai shpërdoroi pushtetin, mundësitë dhe paratë.
Me gjithë thirrjet e tij për ndryshim dhe mbështetjen bujare financiare të Bashkimit Europian, Greqia mbetet vendi më i varfër i Bashkimit. Nga 12 miliardë dollarë që BE i dha Papandreut në vitet 1980 për t'u modernizuar, diplomatët në Bruksel thonë se 80 për qind ishte shpenzuar për konsum dhe paga për mbështetësit e tij politikë.
Si lider i opozitës dhe si kryeministër, ai sulmoi korrupsionin e paraardhësve të tij, por qeveria e tij u zbulua në fund të viteve 1980 në një seri skandalesh që përfshinin mashtrime dhe përgjime telefonike.
Prestigji i tij vuajti edhe për shkak se shfaqi publikisht lidhjen e tij me Dimitra Lianin, stjuardesa sa gjysma e moshës së tij, ndërsa ishte ende i martuar me gruan e tij prej 38 vitesh. Pas lajmit poshtërues, Margaret Papandreu, nëna e katër fëmijëve të tij të rritur, ra dakord për një divorc në 1989.
Nga fundi i vitit 1989, ai nuk mund t'i rezistonte më kaskadës së skandaleve dhe humbi zgjedhjet. Parlamenti e paditi Papandreun dhe e urdhëroi atë dhe katër ish-ministrat e tij të dalin në gjyq me akuza që përfshijnë ryshfet dhe përvetësim. Ai vazhdimisht protestoi për pafajësinë e tij, duke thënë se agjentët amerikanë po përpiqeshin të "destabilizonin" Greqinë dhe se kundërshtarët e tij ishin gati ta shkatërronin atë politikisht.
Papandreu u shpall i pafajshëm në vitin 1992, por dy nga ministrat e tij u dënuan.
Megjithatë, më 10 tetor 1993, Papandreu bëri një rikthim mahnitës. Ndonëse kohët e fundit kishte bërë një operacion në zemër, ai mori stjuardesën Liani si gruan e tij të tretë, ndërtoi një pallat që kushtonte më shumë se 1 milion dollarë, kurrë nuk u akuzua për korrupsion dhe fitoi zgjedhjet për herë të tretë.
Kjo ishte ndoshta tipari i tij më i shquar, aftësia për të ndryshuar pozicionin dhe për t'u mbijetuar skandaleve dhe akuzave pa humbur popullaritetin.
Gjatë 10 viteve të tij në detyrë, ai modernizoi Greqinë, por jo aq sa për ta nxjerrë nga gjendja e keqe. Në vend që të shkurtonte burokracinë e madhe dhe të ngurtë të vendit, ai e fryu atë më tej për të kapur vota. Megjithëse Papandreu trashëgoi një sistem patronazhi ku një politikan pritet të sigurojë një vend pune për çdo mbështetës, shumë ekonomistë pajtohen se ai bëri pak për ta ndryshuar këtë; disa thonë se ai e zgjeroi atë.
Disa nga mbështetësit e Papandreut besojnë se sukseset e tij dhe lidershipi i tij i fortë në balancimin e një shoqërie të padisiplinuar janë lënë në hije të padrejtë nga skandalet financiare të qeverive të tij dhe nga problemet që përfshijnë gratë e tij.
Edhe pse marrëdhëniet jashtëmartesore janë të zakonshme në politikën greke, Papandreu theu rregullat duke shfaqur publikisht lidhjen e tij me stjuardesën Liani. Gratë greke, në veçanti, nuk ia falën këtë fyerje gruas së tij, një zë i fortë për reformën sociale dhe të drejtat e grave.
Në vitin 1995, ai u kritikua nga mbështetësit dhe kundërshtarët për emërimin e gruas së tij të re drejtoreshë të zyrës së tij dhe duke i dhënë asaj shumë pushtet mbi aksesin ndaj tij. Ai shkaktoi protesta të mëtejshme duke thënë se do ta mbështeste nëse ajo kishte ambicie politike.
Rrëshqitjet ishin intensive. Një rezultat ishte që aleati i tij prej kohësh, George Kouris, botues i gazetës Avriani, publikonte rregullisht foto nudo të stjuardesës Liani, duke shpresuar të minonte Kryeministrin dhe të bllokonte karrierën e saj politike.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.