1 Maji, festë apo protestë?

1 May 2022, 09:39Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

1 Maji, festë apo protestë?

1 Maji, Dita e Punëtorëve ose Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve është ditë përkujtimi e betejës së punonjësve ndër dekada për më shumë të drejta. Data përkujtohet në më shumë se 80 vende, ku si protestë, ku si festë.

Në vendet e zhvilluara perëndimore dhe me demokraci të konsoliduar, kjo datë shënohet si datë proteste, ndërsa në vendet ish-komuniste si ditë feste.

Përkujtimet e para u zhvilluan në 1 maj 1890 pas shpalljes si dita e punëtorëve nga kongresi i parë ndërkombëtar i partive socialiste të Europës në 14 korrik 1889 në Paris, Francë.

Data u zgjodh për shkak të ngjarjeve në anën tjetër të Atlantikut. Në 1884 Federata Amerikane e Tregtisë së Organizuar dhe Sindikatave të Punës kërkoi një ditë pune tetë orëshe, për të hyrë në fuqi që nga 1 maj 1886. Kjo rezultoi në grevë të përgjithshme dhe trazira në Çikago të 1886, deri kur kërkesa e tyre për 8 orë punë u plotësua.

Pesë vjet më vonë, Presidenti i Sh.B.A. Grover Cleveland, për ta shkëputur nga konteksti socialist Ditën e Punëtorëve, nënshkroi legjislacionin për ta bërë Ditën e Punës në të hënën e parë të shtatorit. Shembullin e ndoqi më vonë edhe Kanadaja.

Në Europë 1 maji shoqërohej historikisht me festivale pagane rurale, por kuptimi origjinal i ditës u zëvendësua gradualisht nga shoqata moderne me lëvizjen punëtore.

Në bllokun komunist, udhëheqësit përqafuan festën e re, duke besuar se kjo do të inkurajonte punëtorët në Europë dhe Shtetet e Bashkuara të bashkohen kundër kapitalizmit. Dita u bë një festë e rëndësishme në Bashkimin Sovjetik dhe në vendet e bllokut Lindor, me parada të klasës punëtore në Sheshin e Kuq në Moskë.

Në Gjermani Dita e Punës u bë një festë zyrtare në 1933 pas ardhjes në pushtet të Partisë Naziste. Ironikisht, Gjermania shfuqizoi sindikatat e lira një ditë pas vendosjes së festës, duke shkatërruar praktikisht lëvizjet e punëtorëve.

Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe rënien e qeverive komuniste në Europën Lindore në fund të shekullit 20, festimet në shkallë të gjerë të 1 Majit e humbën rëndësinë. Në dhjetëra vende të botës, megjithatë, 1 Maji është njohur si një festë publike dhe ajo vazhdon të festohet me pikniqe dhe festa, ndërsa shërben si rast për demonstrata dhe tubime në mbështetje të punëtorëve.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video