
Marrëveshja e nënshkruar nga Ministria e Kulturës me Fondacionin për Menaxhimin e Butrintit parashikon dorëzimin te ky fondacion menaxhimin dhe të drejtat zhvillimore, përfshirë këtu edhe ndërtimet jo vetëm brenda zonës arkeologjike, por edhe në një perimetër të gjerë përreth saj.
Sipas marrëveshjes së nënshkruar, Fondacioni për Menaxhimin do të ndërtojë qendrën e re të vizitorëve, që ndodhet rreth një kilometër larg zonës arkeologjike, ku është hyrja aktuale.
Marrëveshja përcakton se fondacioni ka në dorë menaxhimin e të gjitha objekteve kulturore në të Butrintit dhe mund t’i transferojë ato jashtë me lejen e Ministrisë së Kulturës.
Ndërkohë, Fondacioni do të aplikojë për leje zhvillimore, leje ndërtimi, leje mjedisi, leje peizashi kulturor, leje për ndërhyrje në pasuritë kulturore të paluajtshme dhe të luajtshme, licencë për qarkullimin e përkohshëm të pasurive të luajtshme kulturore, licencë importi të pasurive kulturore dhe çdo leje, apo licencë, ose miratim tjetër të nevojshëm.
Sipas marrëveshjes, nëse fondacionit i refuzohet ndonjë leje, licencë apo autorizim atij i lind e drejta që të tërhiqet nga ky pakt.
“Në rast se Fondacioni nuk arrin të marrë lejet e nevojshme për fillimin e Punimeve për arsye që nuk lidhen me përmbushjen e detyrimeve (proceduriale dhe materiale përkatëse) nga ana e Fondacionit, ose nëse Fondacioni nuk ka përmbushur detyrimet proceduriale dhe materiale për shkak të mos vënies në dispozicion nga ana e Ministrisë të dokumentit përkatës, Fondacionit i lind e drejta e zgjidhjes së Marrëveshjes”, thuhet aty.
Në rast të zgjidhjes, marrëveshja parashikon kthimin e pasurisë kulturore te Ministria e Kulturës dhe të drejtat reale mbi të si dhe i kalon Ministrisë të drejtën e pronësisë dhe të posedimit mbi Qendrën e Vizitorëve.
Marrëveshja i jep të drejtë fondacionit që të refuzojë hyrjen brenda territorit të pasurisë kulturore edhe vetë Ministrisë së Kulturës, pasi në nenin ku përcaktohet kjo është fakultative.
“Fondacioni do të garantojë, ose do të mundësojë që t'i garantohet hyrja në Pasurinë Kulturore të Paluajtshme Ministrisë në përputhje me Legjislacionin e Zbatueshëm, me kusht që Ministria dhe përfaqësuesit e tij do t’i nënshtrohen dhe do të respektojnë procedurat e sigurisë të zbatuara nga Fondacioni për individët të cilët kanë akses në Pasurinë Kulturore të Paluajtshme dhe nuk do të pengojnë, ndërhyjnë ose vonojnë ekzekutimin e Punimeve ose veprimtaritë e Fondacionit”, thuhet në marrëveshje.
Jo më vonë se dy vite nga data e marrjes së lejes së ndërtimit, fondacioni duhet të nisë punën për ndërtimin e qendrës së re të vizitorëve.
Ndërkohë, bashkë me marrëveshjen janë bërë publik edhe emrat e anëtarëve të bordit dhe drejtorit ekzekutiv të fondacionit. Sipas aktit të regjistrimit të fondacionit në Gjykatën e Tiranës, që në korrik të vitit të kaluar, anëtarë të bordit janë Elva Margariti, Martin Mata, Aleksandër Sarapuli, Flonja Boriçi dhe Richard Hodges. Ndërkohë, drejtor ekzekutiv është caktuar arkeologu Lorenc Bejko.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.