Shkarkohet kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj: Vendim politik dhe i falsifikuar

27 April 2022, 15:35Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shkarkohet kryeprokurorja e Tiranës, Elisabeta Imeraj: Vendim politik dhe i
Elisabeta Imeraj

Kryeprokurorja e Tiranës Elisabeta Imeraj u shkarkua nga KPA-ja këtë të mërkurë.

Kolegji i Posaçëm të Apelimit, KPA, ka shkarkuar nga detyra prokuroren e Tiranës Elisabeta Imeraj.

Komisioneri publik kërkoi më herët shkarkimin e saj nga detyra edhe në bazë të rekomandimit të vëzhguesve të operacionit ndërkombëtar të monitorimit.

Sipas komisionerit, prokuroja Imeraj ka probleme në të 3 komponentët e vlerësimit, pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Imeraj e cilësoi vendimin e KPA në kundërshtim me ligjin.

Sipas saj, ka mangësi në të gjitha kriteret e vlerësimit, pasuri, figurë dhe integritet personal.

"Në KPA jam drejtuar me pyetje konkrete: Kush e dëshiron shkarkimin e Elisabeta Imeraj? Vetëm kjo përgjigje nuk u dha në vendimin e sotëm. Shpresoj se do ta kem të arsyetuar se kush e dëshiron shkarkimin e Elisabeta Imeraj nga sistemi i drejtësisë. Do vendos çdo dokument në shërbim të qytetarëve. Presioni politik, kriminal dhe ndërkombëtar, ky proces ka qenë i afektuar dhe i falsifikuar", tha Imeraj.

Me shkarkimin e saj krijohet një vend bosh në prokurorinë më të madhe në vend, atë të Tiranës.

Më datën 26 mars, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi unanimisht caktimin e prokurores Elisabeta Imeraj në pozicionin e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për një mandat 3-vjeçar.

 

Kush është Elisabeta Imeraj

Elisabeta Imeraj është një nga prokuroret më me eksperiencë të sistemit të drejtësisë që është përballur me disa nga dosjet më të vështira të korrupsionit në nivel politik dhe të krimit të organizuar të nivelit të lartë. Sukseset e saj kanë bërë që shkalla e parë e vettingut ta konfirmonte në detyrë dhe të jepte “dritën jeshile” për të tre kriteret; pasurinë, profesionalizmin dhe pastërtinë e figurës.

Elisabeta Imeraj tashmë ish-prokurore e Tiranës ka hetuar disa nga çështjet më të nxehta në vend, përfshirë edhe dosjen për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për të cilin kërkonte heqjen e imunitetit për ta arrestuar.

Dosja Tahiri nuk është e vetmja e bujshme që ka hetuar Imeraj. Ajo ka hetuar dosje të tjera të bujshme si ajo e Emiljano Shullazit, dosjen e 9 imamëve të cilët janë dënuar për terrorizëm por edhe grupin e trafikantit ndërkombëtar të drogës Met Kananit, i njohur si ‘Eskobari shqiptar’.

Prokurorja Imeraj ka nisur punë si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër në vitin 2004, më vonë është emëruar në prokurorinë pranë Gjykatës për Krimet e Rënda.

Imeraj, nëna e dy fëmijëve, është diplomuar për drejtësi në vitin 2001 në Fakultetin e Drejtësisë e më pas ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004.

Vettingu

Komisioneri Publik vendosi ankimimin e konfirmimit në detyrë, kryesisht për vërejtjet që kanë të bëjnë me ish-bashkëshortin e saj, por Imeraj paraqiti një kontratë paramartesore të vitit 2007, sipas të cilës, pronat e bashkëshortit, me të cilin u divorcua në vitin 2019, i përkasin atij dhe ajo nuk është përgjegjëse. Një argumentim që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e pranoi si të vlefshëm.

Në përballjen e parë me vettingun, Elisabeta Imeraj “shënoi” dhe një sukses tjetër në përballjen me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Ajo rrëzoi disa akuza të vëzhguesit ndërkombëtar Theo Jacobs, i cili sot është bërë shkak që vendimi për kryeprokuroren e Tiranës është ankimuar.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe përfaqësuesi i saj në Shqipëri, Theo Jacobs është vënë nën akuzë të fortë për sajesë të provave që më pas janë përdorur në seancën kundër prokurores Elisabeta Imeraj. Bëhet fjalë për një letër “anonime” që i është dërguar ONM-së nga një person i vetëquajtur “Rrahim Shehu” por që vettingu më vonë e provoi se ishte një “person fiktiv”. Pra, nuk ekzistonte.

 




Video