
Shënim: Mazhoranca po përpiqet me sforco të mëdha që të paraqesë procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri si ngjarjen më madhore politike, në mos të vitit të paktën për këto ditë. Por e vërteta duket ndryshe.
I gjithë procesi i konsultimeve, publike e jopublike, me zarfa fizikë e zarfa virtualë për të cilët kanë folur këto kohë socialistët është më shumë një proces farsë se sa real. Së pari, edhe nëse të gjithë aktorët e shoqërisë civile, apo deputetët socialiste bien dakord dhe t’i dorëzojnë Ramës një kandidat të vetëm, nëse emri i dorëzuar nuk përputhet me atë që ka Rama në mendje, nuk ka shanse që të zgjidhet.
Edhe vetë socialistët brenda grupit vështirë ta besojnë se kur kanë mbetur tre muaj nga përfundimi i mandatit të Ilir Metës, Edi Rama nuk e ka vendosur se cili do të jetë pasuesi, apo pasuesja e tij. Për të mos thënë që Rama mund ta ketë menduar emrin që prej 2019-s, kohë kur ndërmori nismën e parë në Kuvend për shkarkimin e Metës, e ndoshta e ka përforcuar këtë emër në 2021, kohë kur ndërmori nismën e dytë të shkarkimit.
Në të dyja rastet Meta nuk u shkarkua. Në të parin, socialistët e gjetën me shkelje por thanë se ato nuk janë aq të rënda sa për të justifikuar shkarkimin. Në të dytin kërkesa për shkarkim u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.
Pra, a mund të mendosh sot se pas dy investimeve madhore të mazhorancës për të shkarkuar Metën dhe duke qenë se Rama e ka theksuar në jo pak raste se PS i ka votat për të zgjedhur e vetme Presidentin, procesi i konsultimit do të prodhojë një emër që nuk është në mendjen e Ramës.
Në përballjet politike me opozitën Rama i është referuar shpesh lojës së shahut dhe i jep vetes aftësinë që të llogarisë lëvizjet përtej tyre. Prandaj, të thuash që ‘shahisti politik’ kampion pas 2013-s e këtej nuk e ka vendosur se kush do të jetë Presidenti i ri i vendit është naivitet.
Sa për pjesën tjetër, konsultimet po vazhdojnë, ato do të vazhdojnë me shoqërira civile dhe deputetë të opozitës me zarfa e pa zarfa. Por, në përfundim i gjithë ky proces, ose do të dalë te emri që ka vendosur Rama, ose do të dështojë me justifikimin e mosarritjes së dakordësisë për një emër konsensual në Presidencë.
E gjithë tjetra me takime publike e konferenca për gazetarët është një makiazh që po i hidhet përsipër një procesi të paravendosur, një spektakël...
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.